Emisioni “Përballë” në RTSH, Soreca: Presim rezultate të shpejta mbi çështjet e krimeve zgjedhore

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca, pret rezultate të shpejta mbi çështjet e krimeve zgjedhore nga institucionet e reja të drejtësisë. I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, Soreca tha se është e rëndësishme që këto institucione të fokusohen në këto çështje, në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek drejtësia e re.
“Në skenë kemi aktorë të rinj, kemi SPAK-un, dhe ju e keni parë edhe vetë që SPAK-u i ka kërkuar KQZ-së që të japë prova me audio, me video, kundër blerjes apo shitjes së aluduar të votës, pra të krimeve zgjedhore. Kjo është njëra gjë. Gjëja tjetër është që Olsion Çela, Prokurori i Përgjithshëm, në fakt i kërkoi Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë që të fillonte hetimet kundër atyre prokurorëve të cilët kanë zvarritur ose kanë vonuar gjërat me anën e mënyrës se si e kanë bërë detyrën. Për shembull, për zgjedhjet e Dibrës. Pra, ky është një sinjal i qartë, i cili nuk kishte ekzistuar më parë.Institucionet e reja po tregojnë objektivin, synimin, qëllimin e tyre për të luftuar krimin zgjedhor. Ne duam që kjo gjë të ndodhë dhe e kemi thënë që prej ditës sonë të parë, ditës pas zgjedhjeve, siç e thatë edhe ju, që duam që kjo gjë të ndodhë dhe të shikojmë rezultate. Është shumë e rëndësishme që institucionet e reja të drejtësisë të fokusohen fort në këtë çështje, në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek institucionet e reja.” – tha Soreca në “Përballë”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




