Emisioni “Përballë” në RTSH1-HD: Deri ku shkon “mosnjohja e zgjedhjeve”?!

Partia Demokratike ka nisur rrugën e kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve me kërkesën për të përsëritur zgjedhjet në 9 nga 12 qarqet. Ankesat priten të shqyrtohen në Komisionin e Ankesave dhe Standarteve dhe Kolegjin Zgjedhor. Paralelisht, me institucionet zgjedhore partia më e madhe e opozitës ka depozituar rreth 180 padi në prokurori dhe në SPAK për çështje që lidhen me fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit.
PD thotë se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, por ka lënë të kuptohet se nuk do t’i kthehet taktikave të bojkotit të shkurtit të vitit 2019 kur dogji mandatet parlamentare dhe vijoi me mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.
Sfida e PD-së sot është e shumëfishtë: asaj i duhet të bindë mbështetësit e vet, të mbajë kohezionin me aleatët politikë dhe në të njëjtën kohë të bindë opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar se parregullsitë e konstatuara në zgjedhje ndikojnë në rezultatin përfundimtar.
Paralelisht me kontestimin e zgjedhjeve brenda opozitës ka nisur edhe debati për përgjegjësinë e rezultatit të marrë më 25 prill dhe faktit që kundërshtari arriti të marrë mandatin e tretë. Një grup brenda PD-së kërkon dorëheqjen e kryetarit Basha pa pritur zhvillimin e zgjedhjeve normale në parti, të planifikuara për t’u mbajtur pas dy muajsh.
Për të folur për strategjinë e kontestimit dhe mjetet që do të përdorë opozita sonte në #Përballë do të jetë Edi Paloka, nënkryetar i Partisë Demokratike dhe drejtuesi politik i qarkut të Durrësit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ora 21.00, RTSH 1
- Sllovenia, miku i të gjithëve në Ballkan
Sllovenia merr më 1 korrik Presidencën e Bashkimit Europian dhe javën tjetër në Ljubjanë mbahet samiti i Brdo-Brijunit me kryetarët e shteteve të rajonit.
Sllovenia është prej vitit 2004 anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe i vetmi vend që ka marrëdhënie miqësore dhe normale me të gjithë vendet në Ballkan.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor prej kohësh ka paralajmëruar zyrtarët e lartë në Bruksel se nëse vonohet procesi i anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE, mund të ndodhin ngjarje të pakëndshme dhe njerëzit të humbasin durimin.
Me Presidentin slloven zhvillova një bisedë të shkurtër, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë dhe e pyeta për paralajmërimet që ka bërë për rikthimin e debatit për rivizatimin e hartave në rajon dhe për përvojën shumë të mirë sllovene në procesin e antarësimit në BE. Ora 22.00, RTSH 1
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



