Euro bie në nivelin më të ulët në 17 muaj, shqetësimet për borxhin e Francës tronditin tregjet

Botë | 49 minuta më parë

Euro ka rënë në nivelin më të ulët kundrejt dollarit në 17 muaj, mes shqetësimeve në rritje se problemet e borxhit të Francës mund të kërcënojnë stabilitetin e eurozonës.

Monedha e përbashkët europiane ra me rreth 0.8% në tregtimin e së hënës, duke zbritur nën 1.12 dollarë, niveli më i ulët që prej majit 2025, përpara se të rikuperonte një pjesë të humbjeve. Vetëm gjatë këtij muaji euro ka humbur rreth 1.2% të vlerës së saj, ndërsa që nga niveli maksimal prej 1.20 dollarësh i arritur në janar, rënia ka shkuar në rreth 8 cent.

Investitorët ia atribuojnë dobësimin e euros kryesisht shqetësimeve për rritjen e kostove të borxhit të Francës dhe vështirësive të qeverisë për të kontrolluar financat publike, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Indeksi francez CAC 40 ra me 1% të hënën, ndërsa tregjet e tjera europiane patën një ecuri më pozitive. FTSE 100 në Londër u rrit me 0.2%, ndërsa indeksi gjerman DAX mbeti pothuajse i pandryshuar.

Pasiguria politike në eurozonë është shtuar edhe nga njoftimi për zgjedhje të parakohshme në Spanjë nga kryeministri socialist Pedro Sánchez. Indeksi kryesor i bursës së Madridit, IBEX 35, u rrit me 0.5%.

Shqetësimet për Francën lidhen veçanërisht me kostot e huamarrjes. Interesi për obligacionet 10-vjeçare franceze javën e kaluar arriti nivelin më të lartë që nga viti 2002, ndërsa diferenca mes kostos së huamarrjes së Francës dhe Gjermanisë u zgjerua në nivelin më të lartë që nga viti 2012, në kulmin e krizës së borxhit në eurozonë.

Investitorët druhen se zgjedhjet presidenciale dhe mungesa e një shumice të qëndrueshme parlamentare mund ta vështirësojnë përpjekjen e qeverisë për të ulur deficitin. Partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen, National Rally, po fiton terren në sondazhe.

Qeveria e kryeministrit francez Sébastien Lecornu ka njoftuar një plan kursimi prej 54 miliardë eurosh për të frenuar rritjen e borxhit. Masat përfshijnë shkurtimin e shpenzimeve për pensionet dhe fondet e disa departamenteve qeveritare, ndërsa shpenzimet për mbrojtjen janë përjashtuar.

Lecornu synon që deficiti buxhetor të ulet nga 5.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit në 5% vitin e ardhshëm. Ai ka paralajmëruar se pa masa të reja, deficiti mund të arrijë në 6.5%.

Analistët paralajmërojnë se problemet e tregut francez të obligacioneve mund të përhapen në vendet e tjera të eurozonës, duke rikthyer frikën për një krizë të re të borxhit sovran.

Në këtë situatë, Banka Qendrore Europiane përballet gjithashtu me presionin e rritjes së inflacionit të nxitur nga lufta në Lindjen e Mesme dhe rrezikun që problemet e borxhit francez të përhapen në të gjithë eurozonën.

Strategu i monedhave Roberto Mialich, nga UniCredit, tha se investitorët nuk e përjashtojnë një rënie të mëtejshme të euros, me mundësinë që ajo të testojë sërish nivelin e 1.10 dollarëve në një periudhë afatshkurtër.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme