Fasha mbi 800 kWh në muaj për konsumatorët, Bordi i ERE-s vendos me datë 10 nëntor

Ekonomi | 4 vite më parë

A do të miratohet aplikimi i fashës mbi 800 kWh në muaj për konsumatorët gjatë muajve në vazhdim?

Kësaj pyetje pritet që Bordi i Entit Rregullator të Energjisë t’i përgjigjet në mbledhjen e datës 10 nëntor 2022, ku pritet të merret një vendim, por edhe të tjera që janë parashikuar në rendin e ditës.

Lajmi për mbledhjen e datës 10 nëntor është bërë nga vetë ERE, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

“Ditën e enjte, datë 10.11.2022, ora 08:30, do të zhvillohet mbledhja e Bordit të ERE-s, sipas këtij rendi dite:

  1. Mbi miratimin e procesverbalit të mbledhjes së bordit të ERE-s më datë 07.11.2022
  2. Për një ndryshim në vendimin nr. 242, datë 23.09.2022, të bordit të ERE-s, “Mbi miratimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike prej 42 lekë/kWh për konsumin mbi 800 kWh/muaj për klientët familjarë për periudhën 1 Tetor – 31 Dhjetor 2022”
  3. Mbi përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga furnizuesi i mundësisë së fundit për muajin Tetor 2022, për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV”- thuhet në njoftim.

Fasha prej mbi 800 kWh në muaj për konsumatorët ishte parashikuar të vendosej që në muajin tetor, por u shty nga qeveria me arsyetimin se ishte kursyer mjaftueshëm energji për të përmbushur nevojat.

Nëse aplikohet kjo fashë, qytetarët që harxhojnë më shumë se 800 kWh në muaj, do të duhet ta paguajnë më shtrenjtë çmimin e energjisë elektrike.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme