Festë e panair në Skrapar/ Ekspozohen produktet bio, promovohet edhe libri ”Dollia” i Sherif Bundos

Sociale | 3 vite më parë

Nën tingujt e muzikës popullore të trevave të Skraparit,është organizuar dje në Skrapar Festa e Rakisë dhe Panairi i produkteve bujqësore e blegtorale “bio” të zonës.

Dhjetëra fermerë nga shumë fshatra të zonës së Skraparit janë bërë pjesë e panairit, duke ekspozuar në të produktet të shumta “bio” si: djath, gjalpë, mjaltë, bajame, vaj ulliri, raki, rani etj.

Në këtë festë, përveç fermerëve të të gjitha trevave të kësaj zone kanë qenë të pranishëm edhe deputetët e qarkut, përfaqësues të pushtetit vendor etj, të cilët kanë vizituar tezgat e ngritura në sheshin qendror të qytetit, ku ata kanë shijuar produkte të shumta dhe kanë ngritur edhe “dolli” me raki, pijen e traditës së këtij qyteti.

Fermerët në panair kanë deklaruar se këto organizime janë mënyra më e mirë për ta, për të reklamuar dhe shitur produktet e tyre “bio”.

Pas panairit, në ambjentet e bashkisë së Skraparit është organizuar ceremonia e promovimit të librit “Dollia” të autorit Sherif Bundo.

Kryebashkiaku i Skraparit Adriatik Mema, ka theksuar në fjalën e tij vlerat që përcjell ky libër, në të cilin ndiqen rregullat e traditat e dollisë në rrethin e Skraparit.

Për Namik Doklen, kjo e sotmja ka qenë një ditë e veçantë, mes kombinimit të panairit dhe promovimit të librit.

Dokle ka deklaruar se libri i Sherif Bundo pasqyron traditën e skrapalinjve, pasi libri flet për traditën, kulturën, zakonet, mikëpritjen etj.

Sipas Dokles është detyrë e intelektualëve që tradita të tilla të ruhen nëpërmjet librave.

Për deputetin e Skraparit, Nasip Naço,e ka cilësuar “të rëndësishëm” panairin e përvitshëm që “qershinë mbi tortë” kishte-sipas Naços-promovimin e librit të Sherif Bundos, një libër i shkruar prej tij për traditat e zonës së Skraparit dhe zonave të tjera të Shqipërisë, që e ngrejnë dollinë në mënyra të ndryshme.

Profesori Sherif Bundo ka pohuar se shkrimi i librit monografik për dollinë i ka ardhur në mënyrë të natyrshme, si një detyrim shpirtëror ndaj kulturës, traditës dhe të gjithë atyre elementeve antropologjikë të mënyrës së të jetuarit e të sjellurit në këto treva.

Ai ka pohuar se libri “Dollia” është një reflektim i thellë shpirtëror për shkak të njohjes dhe thellimit të bërë në jetën e pêrditshme, traditën dhe edukatën e zonave të Skraparit.

Duke pohuar se mënyrën sesi ngrihet “dollia” e ka mësuar në Skrapar, profesor Sherif Bundo ka deklaruar se një grup i madh personalitetesh, intelektualësh dhe institucionesh, mes tyre edhe Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave kanë vendosur të mbështesin propozimin që “dollia” ti propozohet UNESCO-s për ta futur si element i trashëgimisë botërore kulturore.

Profesor Sherif Bundo, ka përcjellë edhe një mesazh nga profesor Ethem Ruka.

Gazetare: Megi Mëhilli   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme