Finlanda anëtarësohet sot zyrtarisht në NATO

Botë | 4 vite më parë

Finlanda anëtarësohet këtë të martë (4 prill) në NATO. Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg bëri me dije se vendi nordik do t’i bashkohet zyrtarisht aleancës së mbrojtjes transatlantike, duke e bërë këtë të fundit më të sigurt dhe më të fortë.

“Do të mirëpresim Finlandën si anëtarja e 31-të e NATO-s , duke e bërë Finlandën më të sigurt dhe aleancën tonë më të fortë. Ne do të ngremë flamurin finlandez për herë të parë këtu në selinë e NATO-s”, tha Stoltenberg.

Pranimi shënon fundin e një procesi të përshpejtuar që filloi majin e kaluar, kur Finlanda dhe Suedia fqinje braktisën dekada të mosangazhimit ushtarak për të kërkuar sigurinë si anëtarë të NATO-s pas pushtimit rus të Ukrainës.

Turqia javën e kaluar u bë e fundit nga 30 vendet anëtare të aleancës që ratifikoi kërkesën e Finlandës, por Turqia dhe Hungaria vazhdojnë të kundërshtojnë ofertën e Suedisë. Stokholmi tha javën e kaluar se nuk ishte e sigurt se do të bashkohej në kohë për një samit të planifikuar të NATO-s në korrik.

Anëtarësimi i Finlandës në NATO do të dyfishojë gjatësinë e kufirit të aleancës me Rusinë , me të cilën Finlanda ka një kufi prej 1300 km. Ajo ka ndodhur gjithashtu jashtëzakonisht shpejt – përfundimi i ratifikimit në më pak se një vit e bën këtë proces anëtarësimi më të shpejtë në historinë e fundit të aleancës.

Anëtarësimi në NATO e vendos Finlandën nën Nenin Pesë të aleancës, premtimi i mbrojtjes kolektive se një sulm ndaj një anëtari “do të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve”.

Nëse njëri nga aleatët do të thirrej në nenin dhe aleatët e tjerë bien dakord unanimisht se anëtari është me të vërtetë nën sulm, secili do të ndërmarrë “veprime të tilla që e sheh të nevojshme, duke përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe mbajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Gjatë Luftës së Ftohtë, ky parim u përkthye si një garanci efektive e sigurisë amerikane për aleatët më të vegjël që përballeshin me kërcënimin e nënkuptuar të Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij të Traktatit të Varshavës në Evropë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme