Fishta e Lezhës “magnet“ për turistët, zgjedhin fshatin turistik për natyrën dhe kulinarinë 

Turizëm | 2 muaj më parë

Teksa sezoni veror ka hyrë në pikun e tij, jo vetëm bregdeti, por edhe fshatrat me vlera historike, kulturore dhe kulinare po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë. 

Një prej tyre është Fishta e Lezhës, vetëm 15 km larg qytetit, i cili është kthyer në një nga destinacionet më të frekuentuara të zonës nga vizitorë vendas por edhe të huaj. 

“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe mund të them se është një vend i mrekullueshëm. Lexuam në internet për Fishtën dhe vendosëm të ndalonim këtu. Kemi dy ditë që qëndrojmë dhe po kalojmë shumë mirë.” 

“Jam nga Zelanda e Re. Pas një udhëtimi në Bullgari dëgjova për Shqipërinë dhe vendosa ta vizitoj. Kërkova në internet për një vend me natyrë, jetë në fermë dhe ushqim tradicional. Kështu zbulova Fishtën dhe erdha këtu. Më pëlqen shumë dhe po kaloj një eksperiencë të mrekullueshme.” 

“Jam pritur shumë mirë këtu në Fishtë. Banorët janë njerëz të jashtëzakonshëm dhe shumë mikpritës. Më pëlqen jeta në fermë dhe po ndihmoj në mjeljen e lopëve dhe të viçave.” 

“Ushqimi këtu është i mrekullueshëm dhe ka një shije të veçantë. Kam tre ditë që qëndroj në Fishtë dhe jam shumë e kënaqur. Kisha dëgjuar më parë për këtë vend dhe vendosa të vij për ta vizituar.” 

Rritja e numrit të turistëve ka sjellë zhvillim edhe për ekonominë lokale. Vendasit kanë investuar vit pas viti në hapjen e bujtinave dhe strukturave akomoduese, të cilat sot presin vizitorë gjatë gjithë vitit. 

“Një nga arsyet kryesore është mikpritja që Fishta ofron, restorantet e mira, natyra dhe punët e fshatit. Shumica e vizitorëve duan të përfshihen edhe në punët e fshatit, të punojnë në stallë, në fermë, të shikojnë si bëhet djathi apo edhe mëngjesi. Kjo përvojë u jep atyre mundësinë të ndihen pjesë e jetës së përditshme të komunitetit dhe të shijojnë autenticitetin e traditës vendase.” – theksoi Arjola Sina, menaxhere bujtine. 

Në vitet e fundit, Fishta është shndërruar në një model të zhvillimit të turizmit rural, duke kombinuar trashëgiminë kulturore me agroturizmin dhe kulinarinë. 

Fluksi i lartë i vizitorëve tregon se interesi për destinacionet autentike po rritet nga viti në vit. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme