Fondi Social 2026/ Kryeministri Rama njofton zgjerimin e shërbimeve sociale në 12 bashki dhe nivel rajonal
Në nisje të podkastit të tij “Flasim”, në rubrikën “Shënimet e Javës”, Kryeministri Edi Rama u ndal tek Fondi Social Kombëtar 2026, duke theksuar se shërbimet sociale në vend do të shtrihen dhe konsolidohen më tej, për të garantuar mbrojtje dhe kujdes për qytetarët më në nevojë.
Rama tha se “Një tjetër shënim që është pjesë e këtij ditari të kësaj jave, është ai që lidhet me Fondin Social Kombëtar 2026, ku kemi kaluar nga 14 shërbime në vitin 2019, në 98 shërbime aktive sot, dhe mund të themi se e kemi kthyer shërbimin social në një rrjet real mbrojtjeje sociale në të gjithë vendin. Janë 65 mijë individë, që përfshihen nën kujdestarinë e këtij rrjeti të organizuar mbështetje sociale, jo thjesht përmes financimit, por përmes një sistemi të strukturuar shërbimesh, që tanimë është shtrirë në nivel bashkie.”
Kryeministri theksoi se buxheti i fondit është rritur ndjeshëm, duke shtuar se, “Buxheti i këtij fondi është rritur gjashtë herë që nga fillimi i kësaj reforme dhe vetëm këtë vit është 17% më i lartë se viti i shkuar. Kjo tregon konsolidim dhe prioritet të qartë politik për ata që janë më në nevojë.”
Duke folur për planet e vitit 2026, Rama njoftoi se, “Në vitin 2026 do të financohen 14 shërbime të reja për fëmijët dhe nënat në nevojë, për personat me aftësi ndryshe, për të moshuarit, gratë dhe vajzat viktima të dhunës, si dhe për fëmijët pa kujdes prindëror. Nga këto, 12 shërbime do të ofrohen në Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik dhe Kamëz. Ndërsa në nivel rajonal do të ngrihen dy shërbime të reja emergjence dhe një linjë këshillimi për fëmijë.”
Ky program, sipas Kryeministrit, synon të forcojë qëndrueshmërinë e shërbimeve sociale dhe të ofrojë mbështetje të strukturuar për grupet më vulnerabël të shoqërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





