Fushata zgjedhore – Në një muaj, 10 incidente nga Dibra në Sarandë

Nga 11 prilli deri të premten (9 maj) në të gjithë vendin u regjistruan 10 incidente, ku të përfshirë ishin kandidatë për deputetë, të afërm të tyre, eksponentë të partive politike apo edhe qytetarë.
Radio Televizioni Shqiptar sjell këto incidente, të cilat nisën më 14 prill në Lushnje, ku një 38-vjeçar në Lushnje i premtoi 50 mijë lekë të reja një qytetari në këmbim të votës.
Rasti i dytë u shënua më 24 prill në Dibër, ku kandidati i PD Xhelal Mziu dhe nipi i tij dhunuan zyrtarin lokal, pasi sipas tyre ai intimidoi mbështetësit e opozitës gjatë një takimi.
Po në prill, konkretisht më 29 prill, në Tiranë u regjistrua një konflikti te zyrat e PSD në Tiranë, ku u gjetën edhe dy plumba të paplasur.
Sapo hyri muaji maj, konkretisht në Lezhë më 4 maj, kandidati i PD Gjin Gjoni u akuzua se ndoqi me automjet babain e kandidates për deputete, ku tha se e kanë kërcënuar me armë, në Dajç. Po në të njëjtën ditë, në Devoll, u arrestua vëllai i Bledjan Nallbatit në Bilisht, pasi të dy u konfliktuan me drejtuesin e një kamioni.
Kjo ditë u mbyll me një tjetër incident në Fier, ku kandidati për deputet Fatjon Semanjaku u shoqërua në polici, pasi kundërshtoi policët bashkiakë që po i hiqnin një banderolë në qendër të qytetit.
Më 6 maj, në Tiranë, në Shkozë, një grua u konfliktua me kandidatët për deputetë, ku deklaroi se e kishin shqetësuar gjatë aktivitetit politik.
Po në të njëjtën ditë, në Lezhë, nënkryetari i Bashkisë, Fatjon Zefi, drejtori i OSHEE-së, Andi Marku (të dy nga PS), Gjin Gjoni nga PD dhe Eduart Ndocaj nga Aleanca Euroatlantike u përplasë.
Sipas përfaqësuesve të PS, rruga u ishte bllokuar qëllimisht nga Ndocaj dhe Gjoni, duke shkaktuar tension mes grupeve.
Nga ana tjetër Gjoni dhe Ndocaj pretenduan se kanë dashur të blejnë vota. Policia ndërhyri menjëherë dhe shoqëroi të gjithë të përfshirët për të dhënë deklarimet e tyre në komisariat.
Një ditë më pas, më 7 maj në Sarandë, u arrestua kandidati për deputet i Nismës Shqipëria Bëhet, Ergys Isufi pasi iu gjet lëndë narkotike kokainë.
Po në të njëjtën ditë, në Elbasan, u shënua një konflikt mes simpatizantëve te pallati i sportit për fishekzjarrët.
Gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, kanë referuar në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në SPAK, 37 raste për krime zgjedhore.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





