“Gërdeci”, Shkëlzen Berisha në bankën e dëshmitarëve me 70 të tjerë

Aktualitet | 3 vite më parë

Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, do të jetë dëshmitari i parë në gjyqin që do të zhvillohet për çështjen “Gërdeci”.

Gjykata e Posaçme pranoi të martën dëshmitarët e kërkuar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), plot 71 persona nga 90 që ishin kërkuar nga i pandehuri, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Të martën e ardhshme pritet të thirren 15 dëshmitarët e parë, ndërsa në vijim do të japë dëshminë ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, dhe ish-shefi i Stabit, Luan Hoxha.

Avokati i Mediut, Ardian Visha, tha se procesi ndaj klientit të tij ka karakter politik.

“Vëmendja që i ka dhënë SPAK-u kësaj kauze, i gjithë opinioni, interesimi në media, natyra politike e subjektit dhe kohëzgjatja e procesit, tejkalimi dhe këmbëngulja për ta zhvilluar procesit përtej afatit kohor, janë tregues të natyrës politike te rastit, prandaj subjektet me veshje politike duhet te dëshmojnë,” u shpreh avokati Visha.

Pala mbrojtëse kritikoi edhe anën ligjore të procesit, duke hedhur hije dyshimi mbi ligjshmërinë e dokumentimit të aksidentit nga ekspertët e huaj.

Fatmir Mediu gjendet në gjyq për shpërdorim detyre pas rihapjes së procesit për Gërdecin nga familjarët e viktimave.

Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për veprimet që çuan në shpërthimin e 15 marsit e 2008, kur u vranë 26 burra, gra e fëmijë.

Vendimi i GJKKO-së është cilësuar “një fitore e vogël që e kemi kërkuar që prej vitit 2009” nga familjarët e viktimave.

Ish-ministri demokrat, Bumçi, është thirrur më herët në SPAK si person në dijeni të çështjes.

Më 26 janar të këtij viti u paraqit edhe djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, edhe pse ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme