Gërdeci/ Zhvillohet sot seanca gjyqësore për ish-ministrin Mediu

Politikë | 3 vite më parë

Do të mbahet këtë të martë (3 tetor) seanca gjyqësore për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun. Gjatë kësaj seance, pritet që të vendoset mbi listën e dëshmitarëve për tragjedinë e Gërdecit.

Ish-ministri përmes avokatit të tij, kërkoi në seancën e 8 shtatorit thirrjen e 90 dëshmitarëve, por SPAK pranoi vetëm 71 dëshmitarë, mes të cilëve Shkëlzen Berishën dhe Aldo Bumçin.

Ndërsa në listën me 90 dëshmitarë të kërkuar nga ish ministri i mbrojtjes i qeverisë Berisha, Fatmir Mediu janë një sërë emrash të personaliteteve politike, si ish ministra të vendeve anëtare të  NATO-s dhe ish-zëvendës sekretari i mbrojtjes së SHBA.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në shpërthimin e 15 marsit e 2008 që vrau 26 persona: burra, gra e fëmijë.

GJKKO ka pranuar më herët kërkesën që pjesë e seancave të jenë edhe familjarët e viktimave si palë e procesit ku gjykohet ish-ministri Mediu.

Vendimi i GJKKO-së është cilësuar “një fitore e vogël që e kemi kërkuar që prej vitit 2009” nga familjarët e viktimave.

Më 13 dhjetor të 2022-it, ish-ministri i Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së Sali Berishës, Aldo Bumçi u thirr në SPAK ku u mor në pyetje lidhur me hetimet për çështjen e Gërdecit, si person në dijeni.

Më pas, më 26 janar të 2023, në SPAK u paraqit dhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.

Hetimet për Gërdecin dhe përfshirja e tij kanë qenë arsyeja e paraqitjes së Shkëlzen Berishës në SPAK, edhe pse ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme