Gërmimet arkeologjike në veri, Lugina e Drinit dhe Bushati në fokus gjatë vitit 2026

Uncategorized | 7 muaj më parë

Gërmimet arkeologjike që prej disa vitesh po zhvillohen në Luginën e Drinit dhe në zonën e Bushatit, në rajonin e Shkodrës, do të vijojnë edhe gjatë vitit 2026.

Dy projektet, të monitoruara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe të realizuara me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, synojnë dokumentimin e strukturave të hershme urbane dhe elementeve të organizimit të jetës qytetare në veriun e vendit.

“Rajoni i Shkodrës ka disa projekte arkeologjike që po zbatohen nga Instituti i Arkeologjisë, si dhe me bashkëpunimin e partnerëve të ndryshëm ndërkombëtarë. Sikurse është projekti Lugina e Drinit në Mesjetë, projekt shqiptaro-francez që po zbatohet prej vitit 2010. Po ashtu edhe projekti shqiptaro-polak Skodra, që po zbatohet prej vitit 2011. Pas një periudhe poshtë kalasë së Shkodrës, projekti është zhvendosur në Kryebushat, aty ku kemi evidentuar gjurmët e një qyteti ilir të shekullit IV apo III p.e.s.,” – u shpreh Helidon Sokoli, drejtues i DRTK Shkodër.

Zbulimet e deritanishme në Luginën e Drinit kanë nxjerrë në dritë të dhëna me rëndësi të veçantë mbi mënyrën e organizimit të hapësirës urbane të qytetit mesjetar të Sardës.

“Deri më sot kemi njohur dy rrethimet e qytetit, por gjatë gërmimeve hasëm edhe në strukturën e një rrethimi të tretë, që rrethonte pjesën e sipërme të tij,” – tha Sokoli.

Në sezonin e ri të kërkimeve, që pritet të rinisin në pranverë, arkeologët do të fokusohen në rrënojat e disa manastireve dhe kishave, që datohen mes shekujve XIII dhe XIV, me synimin për të thelluar studimin mbi jetën fetare dhe shoqërore të kohës.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme