Gjiknuri: Amnistia fiskale dhe kanabisi medicinal, dy nismat e PS që i shërbejnë vendit

Ekonomi | 4 vite më parë

Partia Socialiste, aktualisht prej 10 vjetësh në pushtet, vazhdon të këmbënguli në nevojën e ndërmarrjes së amnistisë fiskale dhe lejimin e kultivimit të kanabisit mjeksor në Shqipëri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, gjatë një interviste televizive, ka deklaruar se kërkesa për amnistinë fiskale është një shqetësim i hershëm i emigrantëve shqiptar që kanë mbledhur kursime. Ai tha ndërkohë se kanabisi ilegal nuk duhet ngatërruar me atë medicinal.

“Unë kam pasur raste të takoj shumë bashkëkombës tanë qoftë në Britaninë e Madhe, qoftë në Greqi apo në vende të tjera, ku e kanë ngritur shqetësimin e nevojës të pasjes së një legjislacioni më lehtësues përsa i përket parave të tyre të kursyera pasi shpesh hasin në problematika nga autoritetet shqiptare, autoritete financiare dhe ato të drejtësisë” tha zoti Gjiknuri. “Mendoj që qeveria ka pritur, është duke diskutuar me institucionet ndërkombëtare financiare dhe mekanizma të tjerë të Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje më të pranueshme dhe mendoj se kjo është qasja e duhur” tha ai. 

Zoti Gjiknuri lidhur me ligjin për kultivimin e kanabisit medicinal, kujtoi ekziston një ekonomi me një biznes 400 miliard dollar në nivel botëror. “Mjafton të shkosh dhe në vende fqinje, qoftë në Greqi, qoftë në Maqedoni, që të kesh mundësi të shikosh se si funksionon ky proces” tha zoti Gjiknuri. 

Në lidhje me pyetjen se nëse këto nisma do të sillen brenda këtij sesioni parlamentar, ai tha se, “kjo është një gjë që i duhet Shqipërisë”.

“Le të merren standardet më të mira dhe le të zhvishet debati nga ngarkesa negative duke e ngatërruar atë çka është ilegale me atë legale. Gjithçka mund ti japësh dhe qëllim legal dhe qëllim ilegal. E rëndësishme është që të marrim standardet më të mira dhe unë them që mazhoranca duhet të ecë në këtë drejtim gjithmonë duke ndërmarrë standardet më të mira”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri. ( Sipas ATSH )


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme