GJKKO liron nga “arresti shtëpiak” Sali Berishën

Politikë | 2 vite më parë

Pas 11 muajsh në “arrest shtëpie”, Sali Berisha fiton lirinë. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hequr masën e arrestit shtëpiak për kreun demokrat.

“Nisur nga interesi që ka në publik dhe në media dosja “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha etj. ju njoftojmë se:

Sot, më datë 27.11.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në nenet 228, 229, 230, 237 dhe 260 të K.Pr.Penale ka vendosur pranimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Sali Berisha dhe revokimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”,” thuhet në njoftimin e GJKKO-së.

Avokati i tij, Genc Gjokutaj, deklaroi se nga sot Sali Berisha është i lirë, pa asnjë masë sigurimi ndaj tij.

“Gjykata revokoi masën e arrestit të shtëpisë si një masë që s’ka kushte dhe kritere. Nga sot Berisha është i lrië dhe pa ansjë masë sigurimi ndaj tij”, deklaroi Gjokutaj.

Prej 30 dhjetorit 2023, Sali Berisha ndodhej në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së, për çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Berisha ishte në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij lidhur me ish kompleksin Partizani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme