Gjukanoviç: Konflikti në Ukrainë ka potencial të zgjerohet në vende të tjera

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka deklaruar se konflikti në Ukrainë ka potencial të zgjerohet në vende të tjera.
Sipas Gjukanoviç, përmes formatit të “Bota Ruse”, Moska kërkon t’i japë Rusisë një dimension të atilllë gjeopolitik siç ishte dikur Bashkimi Sovjetik. Për këtë arsye, Gjukanoviç sheh si domosdoshme vijimin e unitetit evropian ndaj agresionit rus.
“Realisht ky konflikt e ka këtë potencial. Që nga dita e parë them se ky është një konflikt, ku Ukraina është në vijën e zjarrit. E di që ekziston ideja, që përmes formatit “Bota Ruse” të bëhet një revizionim historik dhe bëhen përpjekje për t’i dhënë Rusisë rëndësinë gjeopolitike, që kishte dikur Bashkimi Sovjetik. Por ajo që na intereson më shumë ne si evropianë është, se ky është padyshim agresion kundër unitetit evropian dhe sistemit evropian të vlerave”, është shprehur Gjukanoviç në një intervistë për Deutsche Welle.
Ai thekson se kjo lufta mes Rusisë dhe Ukrainës duhet të përfundojë në marrëveshje paqeje.
“Më vjen mirë që kështu lexohet në të gjitha adresat e rëndësishme politike evropiane. Më vjen mirë që Evropa ka reaguar siç ka reaguar dhe se me të vërtetë e kupton, që në Ukrainë po mbrohet sistemi evropian i vlerave. Unë mendoj se për aq kohë sa zgjat lufta, rreziku i reflektimeve të tilla, siç e theksuat në pyetjen tuaj, ekziston. Mendoj se me gjithë urimet, me gjithë nderimin për guximin, për vendosmërinë për sakrifica të Ukrainës dhe popullit ukrainas, është koha që paralelisht të aktivizohen edhe iniciativat për paqen dhe të bëhen përpjeke për të arritur te ajo formulë, me të cilën përfundon gjithmonë çdo luftë: kjo luftë duhet të përfundojë me marrëveshje paqeje. Prandaj është e nevojshme të jesh aktiv në këtë plan, për të pasur më pak viktima, sepse kemi për fat të keq numër të madh viktimash”, ka theksuar ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




