Gogu: Rishikim i KPP-së për masat e sigurimit, rekomandimet e Këshillit të Evropës po kthehen në reformë

Politikë | 48 minuta më parë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur sot se rekomandimet e Këshillit të Evropës për paraburgimin po ushqejnë drejtpërdrejt punën e nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale, me fokus forcimin e garancive për lirinë e personit dhe funksionimin real të alternativave ndaj arrestit në burg. Duke folur në tryezën kushtuar masave të sigurimit, vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, Gogu theksoi se puna me Këshillin e Evropës po kalon nga rekomandimet te procesi i reformës.

“Puna jonë me Këshillin e Evropës nuk mbaron me dokumentin që diskutojmë sot. Rekomandimet e tij po ushqejnë drejtpërdrejt punën që kemi nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi ministri.

Sipas Gogut, në këtë proces po shqyrtohen çështje që lidhen me kriteret për paraburgimin, arsyetimin e individualizuar të masës, shqyrtimin real të masave më pak kufizuese, aksesin në materialet mbi të cilat mbështetet kërkesa për masë sigurimi dhe forcimin e alternativave. Ministri theksoi se drejtimi i reformës duhet të ruajë njëkohësisht efektivitetin e sistemit të drejtësisë penale dhe garancitë e procesit të rregullt e të lirisë së personit.

“Kapaciteti i shtetit për të hetuar dhe ndjekur penalisht duhet të mbetet i fortë. Por po aq të forta duhet të jenë garancitë e procesit të rregullt dhe mbrojtja e lirisë së personit. Njëra nuk fitohet duke dobësuar tjetrën”, tha Gogu.

Krahas ndryshimeve ligjore, Ministria e Drejtësisë po punon për rikthimin në funksion të mbikëqyrjes elektronike, si një nga instrumentet që u jep gjykatave mundësi reale për zbatimin e masave alternative. Gogu tha se është siguruar financimi i nevojshëm për vitin 2027 dhe se objektivi është që sistemi i mbikëqyrjes elektronike të jetë operacional në mars 2027.

“Një alternativë që shteti nuk e ofron realisht, nuk është alternativë. Kjo është përgjegjësi e ekzekutivit, jo e gjykatës”, deklaroi ministri.

Sistemi parashikohet të mbështetet me personel të trajnuar, protokolle të qarta reagimi dhe raportimi ndaj gjykatës dhe prokurorisë, si dhe me forcimin e kapaciteteve të Shërbimit të Provës. Ministri nënvizoi gjithashtu kufirin institucional mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, duke theksuar se Ministria e Drejtësisë nuk ka rol në vendimin se çfarë mase sigurimi duhet të caktohet në një çështje konkrete.

Gjykata e Lartë ka qartësuar standardin. Ne po punojmë që edhe kuadri ligjor ta mbështesë atë dhe po ndërtojmë mbikëqyrjen elektronike e po forcojmë Shërbimin e Provës që alternativat të jenë reale dhe të besueshme. Ligj më i qartë. Alternativa reale. Institucione që funksionojnë. Kjo është pjesa që na takon ne”, përfundoi Gogu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme