Golemi i Kurveleshit, mes traditave dhe turizmit
Dikur numëronte rreth 180 shtëpi dhe ishte një nga fshatrat më të mëdhenj të Kurveleshit.
Golemi njihej për traditat, mikpritjen dhe jetën e gjallë komunitare që e karakterizonte ndër breza.
Me ndryshimet e viteve ’90, shumë banorë u larguan drejt qyteteve ose emigruan jashtë vendit, duke lënë pas shtëpi të mbyllura.
Sot, Golemi po përjeton një tjetër realitet. Falë përmirësimit të infrastrukturës rrugore, shumë familje po rikthehen për të restauruar shtëpitë e trashëguara, me synimin për t’i kthyer ato në bujtina dhe ambiente mikpritëse për turistët.
“Në dimër banojnë rreth 10 familje, ndërsa tani në behar bëhen 40 ose 50 familje, sepse ky ka qenë një fshat blegtoral. Është bërë edhe rruga. Tani kanë filluar njerëzit të bëjnë rindërtimin e shtëpive. Shumë shtëpi kanë filluar të rindërtohen.”
“Këto vitet e fundit ka filluar edhe agroturizmi. Me ardhjen e rrugës të gjithë kanë ardhur, investojnë, restaurojnë shtëpitë.” – u shpreh një prej banorëve.
Edhe pse turizmi po fiton terren, blegtoria mbetet shtylla kryesore e ekonomisë familjare.
“Bujqësi në fakt nuk ka këtu. Blektoria është kryesorja dhe njerëzit vijnë gjatë pranverës, ndërsa në dimër shtegëtojnë sepse bie borë. Në pranverë ata kthehen me tufa bagëtish, kanë fusha, dalin në male, kanë baxho dhe punishte qumështi.”
Bukuritë natyrore, traditat e ruajtura dhe qetësia që ofron zona po shihen gjithnjë e më shumë si një potencial i rëndësishëm për zhvillimin e fshatit Golem dhe turizmit.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





