Guvernatori Sejko: Projektbuxheti 2023 ka prioritet garantimin e stabilitetit të çmimeve!

Ekonomi | 4 vite më parë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, prezantoi në  komisionin e Ekonomisë dhe Financës në parlamentin shqiptar, projektbuxhetin e viti 2023 për Bankën e Shqipërisë.

Ai tha se projektbuxheti i vitit 2023 merr jetë në kushtet e një sfide madhore, sfidë e cila ka prekur si ekonominë botërore dhe atë shqiptare.

“Prioriteti aktual i politikave ekonomike duhet të jetë marrja e masave për garantimin e stabilitetit të çmimeve. Po për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka filluar normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, duke rritur gradualisht normën bazë të interesit”, tha Sejko.

Sejko u shpreh se konsolidimi fiskal përmes masave që ka marrë qeveria do të japë efekte pozitive për ekonominë dhe tregjet financiare shqiptare. 

Guvernatori tha se “projeksionet tona sugjerojnë se rritja ekonomike e vendit do të mbetet në territor pozitiv edhe gjatë viteve të ardhshme, ndonëse ambienti i huaj mbetet sfidues”. 

Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë “Rritja e ekonomisë shqiptare pritet të mbështetet nga kërkesa e brendshme për mallra e shërbime, nga bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, nga ruajtja e ritmeve pozitive të kredisë bankare, si dhe nga vijimi i trendit rritës së të ardhurave nga turizmi”.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme