Hasani në Hungari: Humbja e Ballkanit Perëndimor nuk është një opsion për BE, do dëmtonte kredibilitetin e saj

Politikë | 3 vite më parë

“Humbja e Ballkanit Perëndimor nuk është një opsion për Bashkimin Evropian, pasi kjo do të dëmtonte seriozisht kredibilitetin e saj.” Kështu u shpreh Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën e tij në Akademinë Diplomatike të Budapestit, ku foli rreth perspektivës së Shqipërisë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Ministri Hasani theksoi se sot rajoni e gjen veten në një moment veçanërisht të paparashikueshëm dhe se, sipas tij, integrimi në BE është garancia e vetme për një Ballkan Perëndimor paqësor, të sigurt dhe të begatë.

“Roli i Shqipërisë në promovimin e bashkëpunimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, angazhimi i saj me “armiq historikë”, edhe në rrezik të kostove politike brenda vendit dhe ndërmjet shqiptarëve në rajon, është i njohur gjerësisht dhe dëshmon angazhimin tonë në idenë e nxitjes së bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha ai.

Kryediplomati shqiptar nënvizoi gjithashtu rëndësinë e miratimit të një qasjeje të qëndrueshme strategjike të BE ndaj rajonit tonë dhe integrimit të tij.

“Ne besojmë se integrimi rajonal është një faktor kyç për të ardhmen tonë. Është i qenësishëm për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe është vendimtar për integrimin në BE. Ka një rënie të mbështetjes për procesin e integrimit në BE dhe rënie të besimit në BE. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të ecë përpara dhe gjendja e Bosnje Hercegovinës duhet të trajtohet urgjentisht. Zgjidhja e këtyre dy situatave do të heqë padyshim dy pengesa të rëndësishme në rrugën e integrimit dhe bashkëpunimit rajonal”, deklaroi ministri në fjalën e tij.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndodhet në një vizitë zyrtare në Hungari. Në përfundim të kësaj vizite, Ministri Hasani do të niset drejt Spanjës, ku gjithashtu zhvillon një vizitë zyrtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme