Hetimet ndaj Trump, fletëthirrje për Pence nga hetuesi special

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, është thirrur nga këshilltari special që mbikëqyr hetimet mbi përpjekjet e ish-presidentit, Donald Trump, dhe aleatëve të tij, për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Kjo u bë e ditur sipas një personi me njohuri të drejtpërdrejta mbi çështjen.
Thirrja ndaj Pence, si pjesë e hetimit nga këshilltari special, Jack Smith, u dorëzua ditët e fundit, sipas të njëjtit person, i cili foli me Associated Press në kushte anonimiteti.
Ky duket një skenar i jashtëzakonshëm, ku një ish-zëvendëspresident mund të dëshmojë kundër ish-shefit të tij në një hetim penal. Kjo vjen në kohën që Pence po konsideron të publikojë ofertën e tij presidenciale për republikanët në vitin 2024, kundër Trump.
Të dy janë ndarë, që kur një turmë mbështetësish të Trumpit sulmuan ndërtesën e Kapitolit të SHBA më 6 janar 2021, në një përpjekje për të ndaluar fitoren e demokratit, Joe Biden.
Thirrja është një hap më agresiv nga një prokuror, i cili për vite ka drejtuar seksionin kundër korrupsionit publik në Departamentin e Drejtësisë dhe që po mbikëqyr paditë kundër figurave kryesore politike.
Është e paqartë nëse përpjekjet për të siguruar dëshmi vullnetare nga Pence kishin mbetur në vend përpara se të lëshohej thirrja nga ana e hetuesit special. Zëdhënësit e Pence dhe Smith nuk pranuan të komentojnë për lëshimin e fletëthirrjes, e cila u raportua fillimisht nga ABC Neës.
Pence ishte një figurë qendrore në përpjekjet e Trump për të qëndruar në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2020. Trump këmbënguli në mënyrë të rreme që zëvendëspresidenti i tij, i cili kishte një rol ceremonial në mbikëqyrjen e certifikimit të zgjedhjeve, thjesht mund t’i refuzonte rezultatet dhe t’i kthente ato në shtetet që ai kontestonte.
Më 6 janar, mbështetësit e Trump, të shtyrë nga gënjeshtra se zgjedhjet ishin vjedhur, marshuan drejt ndërtesës së Kapitolit, kaluan brutalisht policinë dhe thyen dritaret e dyert, ndërsa Pence po kryesonte certifikimin e fitores së Biden. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




