Homazhe në Fier për shefin e krimeve në Vlorë, Ermal Lulaj. Drejtori i Policisë: Humbëm kolegun dhe vëllain tonë

Aktualitet | 7 minuta më parë

Ceremoni nderimi dhe homazhe janë zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier për efektivin Ermal Lulaj, shefin e Krimeve në Vlorë, i cili humbi jetën mbrëmjen e kaluar në një aksident tragjik në autostradën Fier-Vlorë, pranë Novoselës. Automjeti tip “Toyota”, me të cilin udhëtonte efektivi, u përplas me një skrep që ndodhej në lëvizje. Si pasojë e aksidentit, Lulaj humbi jetën.

Homazhet në nderim të tij u zhvilluan nga ora 11:00 deri në 12:00, ku të pranishëm ishin familjarë, të afërm, kolegë dhe drejtues të policive. Në ceremoni mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Në një prononcim për mediat, Hita e cilësoi humbjen e efektivit si një ditë të dhimbshme për familjen, kolegët dhe gjithë strukturat e Policisë së Shtetit.

“Është një ditë shumë e dhimbshme për ne, për familjen e Ermalit, për të gjithë kolegët, miqtë dhe ata që e kanë njohur. Unë Ermalin e kam njohur që prej fillimeve të karrierës së tij, pasi kemi punuar këtu në Fier. Ndjej keqardhje të madhe për mënyrën se si iku kaq shpejt nga jeta.

Na u largua babai i tre fëmijëve, biri i një familjeje shumë të mirë, na u largua kolegu dhe vëllai”, u shpreh Hita.

Ai garantoi se familja e efektivit të ndjerë, veçanërisht tre fëmijët e tij, do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Policisë së Shtetit.

“Fëmijët e tij do të kenë mbështetjen tonë, do të jenë mes nesh për çdo nevojë apo kujdesje. Familjen e madhe të Policisë së Shtetit do ta kenë pranë”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm.

Ermal Lulaj kishte një karrierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit, ku kishte mbajtur disa detyra drejtuese në qarqe të ndryshme. Ai kishte shërbyer edhe si shef i Antidrogës, ndërsa së fundmi mbante detyrën e shefit të Krimeve në Vlorë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme