Homazhe për Lutfi Hoxhën/ Aktori i qindra roleve shuhet në moshën 89-vjeçare

U mbajtën këtë të hënë homazhet në nderim të aktorit te njohur Lutfi Hoxha pranë Pallatit të Kulturës në qytetin e Durrësit.
Familjarë, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë i dhanë aktorit të qindra roleve lamtumirën e fundit.
“Ai ka qenë një aktor brilant. Nëse do karakteret më të bukura, ato i zhvillonte Lutfi Hoxha,” tregon aktori Roland Koça.
Aktori Lutfi Hoxha është një nga aktorët e parë që themeluan teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ai ka interpretuar gjithashtu në dhjetëra role në kinematografi.
“Miku i mirë sikur të heq një copë nga mendimet, nga kujtimet, edhe nga trutë. Kjo është dhimbja që ndjej,” tha regjisori Haxhi Rama.
“Kur ikin artistë me vlera, siç është Lutfi Hoxha, sidomos për ne që e kemi njohur, kemi jetuar bashkë, dhembja është tepër e madhe,” tha shkrimtari Bardhyl Agasi.
Aktori i mirënjohur lindi në Durrës më 1 qershor të vitit 1934 ku edhe kreu mësimet e para për të vijuar liceun artistik “Jordan Misja”.
Mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike.
Disa prej filmave në të cilët ka interpretuar janë “Rrugicat që kërkonin diell”, “Detyrë e posaçme”, “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Nata e parë e lirisë”, “Ne dhe lenini” etj.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




