Hoti: Ka hapësirë për një President të pranueshëm për të gjithë, LDK e gatshme të kontribuojë

Kosovë | 2 muaj më parë

Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit institucional dhe në gjetjen e një kandidati për President të pranueshëm për të gjitha forcat politike. Kështu ka deklaruar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se partia e tij ka hequr dorë nga kërkesa për balancë institucionale, me qëllim që të mundësohet funksionalizimi i institucioneve të vendit. Hoti tha se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria, ndërsa më pas të hapet diskutimi për zgjedhjen e Presidentit.

“Kemi diskutuar gjerësisht për këtë çështje brenda strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kemi ardhur në përfundim që, në funksion të shterimit të situatës, t’i japim mundësi që të ecet përpara me themelimin e institucioneve të vendit. Kemi hequr dorë nga kërkesa jonë për balancë të institucioneve dhe kemi treguar gatishmërinë tonë që, në fazën kur vijmë te diskutimi për zgjedhjen e Presidentit, të jemi konstruktivë në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme dhe të pranueshme për gjithë spektrin politik”, tha Hoti.

Sipas tij, partia që ka dalë e para në zgjedhje, së bashku me partnerët e saj, i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Pas kësaj, sipas Hotit, do të ketë 60 ditë në dispozicion për diskutimet rreth zgjedhjes së Presidentit.

“Partia që ka dalë e para në zgjedhje i ka votat e mjaftueshme, bashkë me partnerët e saj, për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë dhe mandej për të hapur diskutimet për Presidentin e vendit. Aty i kemi 60 ditë për të kryer diskutimet, nëse mund të arrijmë tek një kandidat që është i pranueshëm për të gjitha palët. Edhe ne si LDK shprehim gatishmërinë tonë që të kontribuojmë në atë proces”, deklaroi ai.

I pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për të martën, Hoti tha se për këtë çështje do të ketë një njoftim zyrtar nga partia. Ndërkohë, ai theksoi se LDK-ja vijon të kërkojë me ngulm thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, duke argumentuar se nuk ka arsye për vonesa.

“Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë ta kërkojmë me ngulm thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit. Nuk ka asnjë arsye për vonesat”, tha Hoti teksa shtoi se ekziston hapësirë për kompromis sa i përket zgjedhjes së kreut të shtetit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme