Hoxha pret Konjufcën: Koordinim të ngushtë në çdo çështje të interesit kombëtar

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në një takim në Tiranë në kuadër të Samitit të IV të Diasporës Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Hoxha tha se “ky samit është një dëshmi e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për ta shndërruar diasporën shqiptare në një fuqi të organizuar dhe vendimtare për të ardhmen tonë kombëtare”.
“Diaspora jonë mbetet një aset i pazëvendësueshëm, një urë e gjallë që lidh kombin tonë me botën dhe një motor i fuqishëm zhvillimi, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë, shoqërisë dhe identitetit tonë”, theksoi Hoxha.
Ministri Hoxha u shpreh se “në vijim të një dialogu intensiv dhe të frytshëm, takimi i sotëm riafirmoi vendosmërinë tonë për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik Shqipëri-Kosovë. Ne jemi të vendosur ta thellojmë këtë bashkëpunim në çdo fushë prioritare, nga ekonomia dhe infrastruktura te energjia, arsimi, kultura, mbrojtja dhe siguria”.
Në takim theks të veçantë Hoxha dhe Konufca i dhanë nevojës për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë, si dhe përshpejtimin e projekteve madhore kombëtare.
“Në planin rajonal dhe ndërkombëtar, Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën dhe perspektivën e saj euroatlantike. Theksuam qartë se momenti pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian duhet të shfrytëzohet pa vonesë. Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është një domosdoshmëri politike dhe strategjike e mirëvendosur në kohë dhe një investim me vlerë për të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në mbështetje të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në çdo aspekt”, nënvizoi Hoxha duke shtuar se nuk kemi luksin e pritjes. Koha kërkon veprim, vendosmëri, bashkërendim dhe unitet.
Prandaj, tha ministri Hoxha, riafirmuam angazhimin tonë për koordinim të ngushtë dhe veprim të përbashkët në çdo çështje të interesit kombëtar, me synimin e qartë për të investuar së bashku në stabilitet afatgjatë, zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët tanë, si dhe në paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





