Hoxha pret përfaqësuesin e ri të OBSH-së: Partneritet për forcimin e kujdesit shëndetësor

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot në Tiranë përfaqësuesin e ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Dr. Fabio Scano.
Takimi u përqendrua te partneriteti mes Shqipërisë dhe OBSH-së, me fokus në avancimin e politikave kombëtare të shëndetit dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.
Sipas ministrit Hoxha, bashkëpunimi me Organizatën Botërore të Shëndetësisë mbetet i lidhur ngushtë me prioritetet e agjendës kombëtare të zhvillimit dhe me përpjekjet për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Në takim u vlerësua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit me OBSH-në në mbështetje të reformave që lidhen me procesin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Ne presim me padurim thellimin e mëtejshëm të partneritetit tonë, duke përfshirë edhe përmes bashkëpunimit të zgjeruar rajonal, inovacionit dhe transformimit digjital të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, në dobi të qytetarëve dhe komuniteteve tona”, deklaroi ministri Hoxha.
Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Shqipërisë dhe OBSH-së për zhvillimin e mëtejshëm të politikave shëndetësore dhe përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





