“OSBE-ODIHR bënë një vlerësim real”, Berisha: 11 Maji, farsë elektorale. Do e faktojmë në kancelaritë europiane dhe Kongresin e SHBA

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur qëndrimin e tij për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, ku koalicioni PD–ASHM pësoi një tkurrje të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Grupimi i kryesuar nga demokratët mundi të marrë vetëm 50 mandate në bazë të rezultateve paraprake, ndërsa kryedemokrati Berisha thekson se ato u vodhën nga qeveria.
“Çdo orë që kalon tregon farsën elektorale të 11 Majit, të organizuar nga “Toto Rino i Tiranës”, Edi Rama. Jam këtu për të shprehur vlerësimin e tim për të gjithë komisionerët dhe numërues të opozitës që në kushtet e një presioni të gjithanshëm, në kufijtë e terrorizimit shtetëror, vijon në detyrën e tyre për mbrojtjen e votës së qytetarëve. Kjo farsë elektorale po kundërmon nga të gjitha anët”, tha Berisha.
Duke e cilësuar procesin zgjedhor të 11 majit si “farsë elektorale”, Berisha deklaroi se shumë fakte të mbledhura do të denoncohen tek ndërkombëtarët. Ai citoi të dhënat paraprake të monitorimit nga OSBE-ODIHR-i për të theksuar më tej idenë e shkeljes së barazisë në zgjedhje.
“Fakti është se vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it, për çka unë e përgëzoj misionin e ambasadorit [Lamberto] Zannieri, i cili në kushte jo të lehta, arriti në një vlerësim paraprak, në tërësi do të thosha, real. Por natyrisht me ODIHR dhe OSBE, sikundër me të gjitha kancelaritë europiane, me Senatin, Kongresin dhe administratën e SHBA-së, ne në mbrojtje të votës së qytetarëve shqiptarë, do të kemi paraqitje dhe shkëmbime intensive mendimesh, dokumentesh dhe faktesh të pakundërshtueshme. Narkoregjimi i Tiranës nuk mundet kurrë të përfitojë për kohë të gjatë nga kjo masakër zgjedhore që kreu,” shtoi Berisha.
Partia Demokratike ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste më 16 maj, që opozita e sheh si hapin e parë të “luftës për mbrojtjen e votës së lirë”.
“PD dhe opozita po përgatit luftën e fuqishme për mbrojtjen e të drejtës së votës së shqiptarëve”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





