Ibrahimaj: “Pasqyra e Çmimeve” rrit transparencën, qytetarët do të dinë ku i gjejnë produktet më lirë
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se nisma “Pasqyra e Çmimeve” synon të rrisë transparencën mbi çmimet e produkteve dhe t’u mundësojë konsumatorëve të identifikojnë se ku mund t’i blejnë ato me çmime më të ulëta.
Gjatë takimit me rrjetet e supermarketeve dhe furnitorët, ku u diskutua për platformën e re digjitale për transparencën e çmimeve, Ibrahimaj tha se nisma do të ofrojë informacion më të detajuar në nivel produkti, përtej treguesve të përgjithshëm të inflacionit.
“Qytetarët kanë nevojë që të kenë informacion të detajuar dhe një mënyrë të thjeshtë për të kuptuar se ku çmimet janë më të lira”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj theksoi se forcimi i lekut dhe rënia e inflacionit të importuar duhet të reflektohen edhe në çmimet për konsumatorët, ndërsa ngriti pyetjen se në cilën hallkë të zinxhirit të furnizimit krijohen rritjet e çmimeve.
Sipas saj, të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se inflacioni i importuar ka qenë në rënie gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Për këtë arsye, sipas ministres, nevojitet një analizë e faktorëve që ndikojnë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendas.
Në kuadër të kësaj nisme, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit u ka kërkuar rrjeteve kryesore të supermarketeve të vendosin në dispozicion listat e produkteve më të shitura, përfshirë artikujt ushqimorë të shportës dhe produktet e higjienës, si ato të prodhuara në vend, ashtu edhe ato të importuara.
Ibrahimaj bëri të ditur se, pas dy javësh të lëna në dispozicion për dorëzimin e informacionit, vetëm një prej rrjeteve të supermarketeve ka paraqitur listën e kërkuar.
Ministrja tha gjithashtu se gjatë takimit është diskutuar edhe një tjetër nismë, e ngjashme me modelin e aplikuar në Greqi, për krijimin e një liste produktesh me çmime të ulëta për shtresat në nevojë. Sipas propozimit, supermarketet do t’i ofronin këto produkte me fitim minimal ose pa fitim deri në fund të vitit.
Edhe për këtë nismë, Ibrahimaj tha se deri tani vetëm një subjekt ka paraqitur listën përkatëse.
“Përveç qëllimit të fitimit, kompanitë patjetër të mendojnë edhe për mbrojtjen e konsumatorit, edhe për të mirën publike”, tha Ibrahimaj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




