Industria ka rritur besimin për ekonominë

Sipërmarrja në Shqipëri, përfshirë atë vendase dhe të huaj, kanë rritur nivelin e besimit për një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike. Treguesi i besimit të industrisë në vend u rrit në -1.5 në tremujorin e parë të 2021, nga -11.0 në periudhën e mëparshme. Kjo është vlera më e lartë që nga tremujori i tretë i vitit 2019 dhe është hera e parë që shënohet si e tillë mbi nivelet para-pandemike. Përmirësimet janë parë kryesisht në prodhim , në pritjet e çmimeve të shitjes ato të punësimit etj. Në të njëjtën kohë, shkalla e përdorimit të kapacitetit u zgjerua në 74.6 përqind, nga 72.2 përqind në tremujorin paraardhës. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky optizizëm i bizneseve ka vijuar edhe gjatë muajve në vijim, duke treguar një rigjallërim në rritje të ekonomisë shqiptare. Grafiku e tregon qartë këtë ecuri.

Por në ndryshim nga optimizimi i bizneseve, indeksi i besimit të konsumatorit në Shqipëri u rrit shumë pak, me -18.9 në tremujorin e parë të 2021, nga -20.0 në periudhën e mëparshme. Treguesi sjell shpresa për rimëkëmbjen ekonomike në vitin e ardhshëm, por mbetet ende nën nivelet para-pandemike. Konsumatorët kanë vërejtur përmirësime në blerjet kryesore; në situatën e pritshme financiare të familjes dhe situatën e pritshme të përgjithshme ekonomike. Nga ana tjetër, situata aktuale e të ardhurave dhe shpenzimeve u përkeqësua në -1.2 nga 0.5). Garfiku tregon se ende besimi i konsumatorit shqiptar është poshtë niveleve të vërejtura të vitit 2020 dhe shumë larg 2019-ës.

Sipas skenarit bazë, që ka më shumë gjasa të realizohet, rritja ekonomike e vendit pritet të jetë 5.5% këtë vit dhe me 4.8% në vitin 2022, për t’u ngadalësuar më pas në rreth 4% në 2024-2025. Të ardhurat pritet të arrijnë në 29.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2025 dhe borxhi publik të zbresë gradualisht në rreth 68% të PBB-së deri në të njëjtën periudhë.
Skenari i qeverisë shqiptare ishte bërë publik në fund të vitit të kaluar, shumë më herët se sa Fondi Monetar Ndërkombëtar të tregohej optimist për ecurinë e ekonomisë sonë. Shqipëria humbi rreth 560 milionë euro gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




