Infrastruktura shkollore/ Ndërhyhet në shkollat e Gjirokastrës, “Havzi Nela” në Kukës nuk është gati

Në datën 11 shtator pritet t’u drejtohen institucioneve të arsimit parauniversitar ne qarkun e Gjirokastrës rreth 7 mijë nxënës.
Drejtoresha e zyrës vendore arsimore Gjirokastër-Libohovë, Albana Hasanaj, thotë se është shënuar një rënie e lehtë e numrit të nxënësve në klasat e para dhe të dhjeta.
“Kjo rënie nuk ka ndikuar në klasëformim dhe aq më pak në daljen e mësuesve nga sistemi arsimor,” thotë drejtoresha Hasanaj.
Të shtata njësitë vendore prej fillimit të muajit gusht kanë marrë masat për të ndërhyrë jo vetëm në institucionet shkollore, por edhe në kopshte e çerdhe.
Deri tani, gati 85 për qind e të gjitha shkollave të Gjirokastrës konfirmohet se u janë nënshtruar restaurimeve.
Ndërkohë në Bashkinë Kukës të gjitha godinat arsimore janë gati për të mirëpritur nxënësit, përveç gjimnazit “Havzi Nela” ku pritet pajisja me bazën materiale pas rikonstruksionit të godinës.
Mbi 1 mijë nxënësit e shkollës së mesme të qytetit do të vazhdojnë mësimin pasdite në dy godinat arsimore 9-vjeçare deri në fund të muajit shtator.
Riparimet e nevojshme janë kryer në 69 godina arsimore.
Në Bashkinë Kukës zhvillohet mësimi në dy gjimnaze, 8 shkolla të mesme të bashkuara si dhe 23 shkollare 9-vjeçare.
Ndërsa regjistrimet u mbyllën një ditë më parë, këtë vit do të ulen në bankat e shkollës për herë të parë 510 nxënës dhe 500 nxënës kalojnë në klasë të 10-të.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




