Intensifikohen protestat në Serbi, demonstruesit u vënë flakët zyrave të partisë në pushtet

Rajon | 1 vit më parë

Protestat antiqeveritare në Serbi kanë hyrë në natën e pestë me radhë të përshkallëzimit të dhunshëm, teksa demonstruesit kanë vënë flakën zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS), partisë në pushtet të presidentit Aleksandar Vuçiç.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Valjevës, ku një grup individësh të maskuar sulmoi objektet bosh të partisë, duke shkaktuar zjarr në ndërtesë. Policia u përgjigj me përdorimin e gazit lotsjellës dhe granatave tymuese, çka çoi në përplasje të ashpra me protestuesit.

Tensionet janë përhapur gjithashtu në Beograd dhe Novi Sad, qytete të mëdha ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit kanë qenë më të dhunshme. Gjithashtu, protestuesit kanë dëmtuar edhe selinë e Partisë Radikale Serbe, një aleate e SNS-së, duke thyer dritaret dhe shkatërruar simbolet partiake.

Demonstratat shpërthyen pas shembjes së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, ku humbën jetën 16 persona. Publiku fajësoi qeverinë për korrupsionin dhe shkurtimet e buxhetit, duke e cilësuar ngjarjen si pasojë të keqqeverisjes.

Ajo që nisi si një kërkesë për transparencë dhe hetime, është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë kundër regjimit të Vuçiçit, me thirrje për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme.

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Michael O’Flaherty, shprehu shqetësim të premten në lidhje me “forcën joproporcionale të policisë” në Serbi, duke u kërkuar autoriteteve të “i japin fund arrestimeve arbitrare dhe të qetësojnë situatën”.

Nga ana tjetër, presidenti Aleksandar Vuçiç reagoi në Instagram, duke deklaruar se “dhuna është një shprehje e dobësisë totale”. Ai i ka hedhur poshtë thirrjet për zgjedhje të parakohshme, duke i quajtur protestat një komplot të huaj për rrëzimin e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme