IPARD III, ministrja Krifca: Fituam besimin e BE, shtohen sektorët që do mbështeten

Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural tashmë ka përfunduar punën përgatitore për IPARD III, programi i BE-së për mbështetjen e subjekteve në zinxhirin nga ferma deri tek agropërpunimi dhe zhvillimi i zonave rurale në Shqipëri.
Në takimin e parë të organizuar të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARDIII 2021-2027, që u zhvillua në Pezë, të Tiranës një prej bujtinave të mbështetura nga ky program ministrja Frida Krifca informoi se se në fokus janë masa të reja mbështetëse edhe për fermerët e rinj dhe gratë që të mos braktisin zonat rurale.
“Fituam besimin e Bashkimit Evropian, ndaj dhe shtohen sektorët që do të mbështesim me IPARD III. Përtej masave të aplikuara në IPARD II, në këtë program mbështesim dhe inkurajojmë aktorët ekonomikë që të përdorin raca autoktone, të rivitalizojnë agrosistemet tradicionale, si për shembull ullishtet tradicionale, të rrisin sipërfaqet e certifikuara apo të shfrytëzojnë në mënyrë të qëndrueshme kullotat, burimet peshkore dhe të akuakulturës”, u shpreh Krifca.
Këto masa, vijoi ajo, janë pjesë e strategjisë së re të bujqësisë.
Programin IPARD III do të ndihmojë për herë të parë edhe investimet në infrastrukturën publike në zonat rurale për të sjellë më pranë produktet bujqësore me tregjet ekzistuese, apo të reja që mund të ndërtohen në kuadër të kësaj mase.
Krahas masave të reja të përfshira në këtë program, janë parashikuar edhe sektorë të rinj, që marrin fokus kryesor të tillë si: sektori i Ullirit dhe vajit të Ullirit; bimët mjekësore dhe aromatike dhe përpunimi i produkteve të peshkimit.
Frank Bollen nga DG Agri i KE-së, vlerësoi se implementimi I programit po ecën me një ritëm shumë të mirë.
“Viti i kaluar nuk ishte vit i lehtë dhe kur kthejmë kokën pas, shohim ndryshimin dhe themi se PO, ju ia dolët dhe ia arritët. Ky është një sinjal i mirëpritur. Ne besojmë se me angazhimet e përbashkëta do të arrijmë të implemtojmë programin IPARD III me sukses. Ne do t`ju inkurajomë”, u shpreh Bollen.
Ndërsa Andea Vera nga Delegacioni i BE-së në vendin tonë, drejtues i programit të zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri vuri në dukje se, “BE është donator, mbështetësi dhe partneri më i madh i ekonomisë shqiptare dhe kjo është më e dukshme në fushën e zhvillimit rural dhe bujqësisë dhe kjo falë programit IPARD, por edhe projekteve të tjera që kanë mbështetur start up-et në biznese apo programe të tjera”.
“Që nga viti 2018 kemi parë një implementim premtues dhe shpejtësia e zbatimit ka qenë më e shpejtë nga pritshmëritë”, deklaroi Vera.
Mbështetje e BE-së, së bashku me kontributet kombëtare publike dhe private, do të injektojë në total mbi 225 milionë euro investime nga 169.9 milionë Euro që janë nën Programin IPARD II) në zonat rurale të Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




