Irani do të hapi zyrë interesi në Shqipëri

Agjensi lajmesh dhe rrjete mediatike kanë bërë të ditur rënien dakord midis Iranit e Turqisë për hapjen e seksionit të interesit iranian në Shqipëri.
Agjensia Islamike e Lajmeve i referohet njoftimit zyrtar të Iranit për një bisede telefonike të Ministrit të Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian me homologun e tij turk Mevlut Çavusoglu të shtunën.
Ministri i jashtëm iranian është cituar të ketë bërë të ditur se ministria e tij kishte rënë dakord për hapjen e seksionit të interesit iranian në Shqipëri përmes Turqisë dhe ka falënderuar qeverinë turke për punët e saj të mira.
Biseda telefonike e ministrit të jashtëm iranian me homologun e tij turk Mevlut Çavusoglu është bërë sipas të njëjtave burime me rastin e festës myslimane të Fitër Bajramit.
Përmbajtja e këtij njoftimi në publikimin zyrtar ku kryediplomati iranian ka përgëzuar qeverinë dhe popullin turk me këtë rast, përveçse ka falënderuar Ankaranë për punët e mira në lidhje me hapjen e seksionit të interesit iranian në Shqipëri, vjen disa muaj pas ndërprerjes së menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike nga ana e Shqipërisë.
Një sulm i përsëritur kibernetik kundër infrastrukturës kritike të Shqipërisë, u provua në shkallë ndërkombëtare të jetë organizuar nga Irani, u komentua nga qarqet diplomatike si i pari precedent sulmi të tillë kundër i mjaftueshëm për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike.
Irani nuk bën pjesë tek vendet në kufi apo afër me Shqipërinë, po ashtu si edhe nuk njihet për ndonjë komunitet me interesa për mbrojtje, por publikimi i këtij fakti ka ardhur në vazhdën e mospranimit të autorësisë së sulmit kibernetik, pavarësisht pakënaqësive që Irani kishte shfaqur me strehimin e opozitës iraniane në Shqipëri pas kërkesësë së Shteteve të Bashkuara.
( Gazetare Entela Komnino )
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



