Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj në “Ekspres”: Albin Kurti mund të kishte parandaluar sulmin serb në veri

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj ka deklaruar në emisionin “Ekspres” në Radio Televizionin Shqiptar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte mundësi të parandalonte sulmin në veri të Kosovës.
Duke folur pas lirimit të tij nga Gjykata e Apelit, Goxhaj theksoi se Kurti kishte dijeni për sulmin që serbët do të kryenin në veri të Kosovës e konkretisht në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Ajo e cila më ka çuditur është se përse qeveria e Kosovës nuk e ka ndaluar këtë kur ka pasur dijeni se sulmi do të ndodhte. Qeverinë e Kosovës për ndodhjen e këtij sulmi e ka vënë në dijeni Vuçiçi.
Albin Kurti deklaroi se kur u takuam në qershor në Bruksel më tha që “ky zotëria që udhëhoqi sulmin do të bëhet Adem Jashari i Kosovës”, u shpreh Goxhaj në emisionin “Ekspres”.
Megjithëse Kurti ka pasur informacione sipas Goxhajt, ai nuk mblodhi as Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe as nuk njoftoi KFOR-in.
“Nuk kemi më pas as mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, as njoftim të KFOR-it për këtë gjë plus filloi të reduktonte forcat në veri të Kosovës duke deklaruar se gjendja është stabël. Në rast se ti ke dijeni për këtë pse duhet t’i reduktosh, pse nuk ke vënë në dijeni KFOR-in. Atëherë ti mban përgjegjësi që nuk e ke parandaluar”, theksoi Goxhaj.
Goxhaj nënvizoi gjithashtu se atë nuk e ka surprizuar aspak sulmi i forcave serbe në veri pasi sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Beogradi kryen akte të tilla teksa solli në kujtesë edhe vrasjen e efektivit Enver Zymberi në korrik të vitit 2011.
“Nuk më ka çuditur sulmi në Banjskë. Është një sulm për të cilin serbët janë përgatitur disa herë. Kanë bërë sulme të tjera po të një niveli më të vogël. Në vitin 2011 sulmuan pikën doganore në Jarinjë ku bënte luftë disa orë me policinë. Atje u desh ndërhyrja e KFOR-it, por edhe atje mbeti i vrarë një polic. Nuk është sulmi i parë që serbët bëjnë ndaj territorit të Kosovës”, shpjegoi Goxhaj në një rrëfim për emisionin “Ekspres” në RTSH të gazetarit Nolian Nole.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




