Itali, Meloni nis punën për ndërtimin e qeverisë së re të krahut të djathtë

Botë | 4 vite më parë

Giorgia Meloni ka filluar nga puna që të vendosë se kush do të marrë postet kryesore në qeverinë e krahut të djathtë, që ajo pritet të drejtojë. Pyetja është se kush do t’i zerë postet kyçe dhe nëse do të kërkohet aleancë edhe me parti të tjera të së djathtës. 

Matteo Salvini, për shembull, është i njohur për dëshirën e tij për të qenë ministër i brendshëm. Kreu i Ligës së ekstremit të djathtë e kishte këtë post në vitin 2019, kur ndaloi anijet e shpëtimit që transportonin emigrantë të hynin në portet italiane. 

Meloni ka premtuar një përgjigje të ashpër ndaj migrimit të paligjshëm, por raportet në Romë flasin se Salvini do ta humbasë sërish rolin e tij. Mbështetja për Ligën e Salvinit ra në 8.8% të dielën, ndaj ai nuk është në gjendje të kërkojë poste të larta drejtuese.

Një ish-udhëheqës i Ligës, Roberto Maroni, ka sugjeruar madje se është koha që Salvini të largohet. Giorgia Meloni, ndërkohë, është ngritur në lartësi të reja: ajo do të bëhet kryeministrja e parë femër e vendit në fund të muajit të ardhshëm, në krye të qeverisë më të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Disa vende evropiane kanë shprehur alarm për fitoren e saj. Kryeministri holandez Mark Rutte tha se Italia ishte një shkak për shqetësim, sepse partitë në koalicionin e Melonit kanë “thënë dhe bërë gjëra që duhet të na bëjnë vigjilentë”, duke përmendur ekonominë, si dhe marrëdhëniet me Rusinë. 

Ministri francez i Financave Bruno Le Maire, tha se shpresonte që një qeveri e Melonit të vazhdonte të ndiqte reformat ekonomike të iniciuara nga kryeministri në largim Mario Draghi, por se ai nuk kishte asnjë shqetësim për stabilitetin e eurozonës. Një qeveri e Melonit do të gjykohej nga veprimet e saj, tha ai. 

Një nga veprimet e saj të para që nga fitimi i zgjedhjeve me 26% të votave, ishte që të fliste në telefon me paraardhësin e saj Draghi, sipas raporteve të pakonfirmuara në mediat italiane. Guido Crosetto, i cili bashkëthemeloi Vëllezërit e Italisë me Giorgia Meloni në 2012, këmbëngul se aleanca e krahut të djathtë do të respektonte të gjitha angazhimet e Italisë, dhe se financat e saj publike do të ishin në duar të sigurta. 

Përpara se Italia të ketë një qeveri të re, ajo duhet të paraqesë një projekt-buxhet në Komisionin Evropian në mes të tetorit. Crosetto tha se shpresonte që qeveria e Draghi-t të punonte së bashku me administratën e re për këtë projekt-buxhet. Ai paralajmëroi se askush nuk do të gjejë punë në kabinetin e ri duke vendosur flamuj partie në karrige.

“Qeveria Meloni do të ndërtohet duke zgjedhur burimet më të mira të Italisë”, tha ai për gazetën Il Messaggero. Presidenti Sergio Mattarella pritet t’i kërkojë zonjës Meloni të formojë një qeveri në fund të tetorit, pasi partia e saj fitoi më shumë se një të katërtën e vendeve në parlamentin e ri. Së bashku me Ligën dhe Forza Italia të Silvio Berlusconit, ata kontrollojnë mbi gjysmën e dhomës dhe Senatit. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme