Iu ndalua hyrja në Kuvend/ “Rithemelimi” përplaset me Gardën, deputetët futen nga dritaret

Politikë | 3 vite më parë

Përplasje në derën e Kryesisë së Kuvendit. Deputetët e përjashtuar nga Komisioni I Etikës më 31 tetor, nuk janë lejuar nga Garda që të futen në ambientet e Kuvendit.

Deputetët e Rithemelimit janë përplasur me gardën, teksa deklarojnë se po ju shkelet e drejta Kushtetuese.

“Po shkelni ligjin. Na lini të hyjmë, është çmenduri. Do hyjmë në punë. Na jepni shkresën, kush është drejtues i gardës të na japë shkresën. Gangster jeni ju? Siç mban pushtetin? Privat është ky institucion?”, janë shprehur deputetët

Demokrati Flamur Noka është futur në ambientet e Kuvendit, duke kaluar sipër kangjellave të institucionit. Ndërkohë Garda ka lejuar futjen në ambientet e Kuvendit të deputetëve opozitarë, ndaj të cilëve nuk ka asnjë vendim nga Komisioni Etikës.

Kujtojmë së më 31 tetor, ky komision, pas kërkesës së PS, vendosi përjashtimin me 10 ditë nga Parlamenti, të Bledion Nallbatit, Flamur Nokës, Edi Palokës, Albana Vokshit, Gazment Bardhit dhe Saimir Korreshit.

Deputetët e grupit të Berishës, janë futur në Kuvend nga dritaret, pasi Garda u mbylli portën kryesore dhe u ndaloi hyrjen në Kryesi. 

Berisha: Akt i shëmtuar, ky është parlamenti i Spiro Kolekës

Ndalimin e hyrjes së deputetëve në Kuvend, ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar si një akt të shëmtuar.

Sipas Berishës, ky akt tregon tmerrin e Kryeministrit Edi Rama, duke ndaluar deputetët që të futen në zyra.

“Ky është parlamenti i Edi Ramës. Ky është parlamenti i Spiro Kolekës. Ky është parlamenti i një organizate kriminale të strukturuar. Shikoni çfarë ndodh, deputetët nuk lejohen të vijnë në zyrën e tyre. Ky është një akt i shëmtuar, ky është një akt i pashembullt në historinë 32-vjeçare të pluralizmit. Ky akt tregon tmerrin e Edi Ramës, tmerrin e organizatës së tij kriminale. Deputetët nuk mund të ndalohen në zyrat e tyre.

Deputetët nuk mund të ndalohen të mblidhen në grupin e tyre. Kjo që bën Edi Rama, është akti më i shëmtuar, më i paprecedent. Të kërkon kohën kur dajo i tij kërkonte të fuste tanket dhe ushtrinë në protestën e studentëve. Kjo është fytyra më e turpshme e këtij institucioni, që në vend që të mbrojë interesat e qytetarëve, mbron interesat kriminale të Edi Ramës dhe bandës së tij.

Ju nuk mund të bllokoni deputetët të shkojnë në zyrat e tyre. Ky Kuvend kaloi në klandestinitet. U bëj thirrje qytetarëve që të kuptojnë se cili është regjimi i Edi Ramës sot. U mbyll dyert deputetëve për të kaluar në zyrat e tyre, ndërsa deputetët e vet i kalon në klandestinitet në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Nuk ka akt më të shëmtuar, kurrë nuk ka ndodhur, as në Bjellorusinë e Lukashenkos. Ky është parlamenti Rama-Linda! Deputetët e opozitës janë të vendosur të përmbushin detyrimet e tyre. Edi Rama i ka hyrë lepuri në bark, i është kallur data nga krimet dhe pasuritë e paligjshme”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme