Izrael, ministri i jashtëm francez bën presion për një armëpushim për t’i dhënë fund ‘tragjedisë në Gaza’

Ministri i ri i Jashtëm i Francës shfrytëzoi të hënën vizitën e tij të parë në Izrael për t’i kërkuar qeverisë që të lejojë një ” armëpushim të menjëhershëm” dhe një “fluks masiv” të ndihmave humanitare në Gaza.
Ministri i Jashtëm Stéphane Séjourné, i cili u bë kryediplomati francez muajin e kaluar, u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Jerusalem gjatë udhëtimit të tij.
Duke folur më vonë në një konferencë shtypi, Séjourné tha se ishte roli i Francës si një “mik” për t’u thënë liderëve izraelitë disa të vërteta që ata “mund të kenë vështirësi t’i dëgjojnë”.
“Prej katër muajsh, populli i Gazës po jeton nën bomba dhe një rrethim pothuajse të plotë. Ata po privohen nga ndihma minimale që u nevojitet për të trajtuar plagët e tyre, për t’u mbrojtur nga epidemitë dhe për të ushqyer veten,” tha ai.
Séjourné theksoi se Franca “mbështeti fuqimisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten” pas sulmit të orkestruar nga Hamasi në Izraelin jugor që shkaktoi luftën në Gaza. Në të njëjtën kohë, ai e quajti vdekjen dhe shkatërrimin në territorin palestinez një tragjedi.
“Tragjedia në Gaza duhet të marrë fund,” tha ai. “Ne bëjmë thirrje që ligji ndërkombëtar humanitar të respektohet nga të gjithë dhe për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm dhe një fluks masiv të ndihmave humanitare.”
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Arabinë Saudite të hënën për një udhëtim në Lindjen e Mesme që do ta çojë gjithashtu në Egjipt, Katar, Izrael dhe Bregun Perëndimor këtë javë. Blinken shpreson të bëjë përparim në një marrëveshje të mundshme armëpushimi.
Séjourné gjithashtu bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të të gjithë pengjeve të mbetura të mbajtura nga Hamasi në Gaza. “Tre shtetas francezë besohet të jenë mes tyre”, tha ai. AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




