Java kundër diskriminimit dhe segregimi në shkollën “Naim Frashëri” në Korçë

Shkolla “Naim Frashëri” në Korçë është një shkollë nëntëvjeçare ku edukohen fëmijë që vijnë vetëm nga komuniteti rom apo egjiptian.
Për shkak se segregimi në këtë shkollë është në nivele maksimale, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përfaqësues nga Këshilli i Europës dhe të tjerë aktorë lokalë zhvilluan një takim me nxënës prindër e mësues, për të ndarë problematikat dhe për të bërë të njohura zgjidhjet e mundshme.
“Ne themi që shkollat duhet të pasqyrojnë shoqërinë, pra vendin ku ne jetojmë, dhe është e papranueshme që në qytete të ndryshme të Shqipërisë të ketë shkolla që në pjesën më të madhe të tyre të kenë vetëm fëmijë të ardhur nga një komunitet i caktuar,” u shpreh komisioneri Robert Gajda.
Desegregimi i shkollës “Naim Frashëri” është një detyrim që vjen edhe nga Gjykata e Strasburgut, me një vendim të majit të vitit 2022, por ende edhe sot e kësaj dite fëmijët që edukohen në këtë shkollë janë të komunitetit rom dhe egjiptian, ndërsa nuk ka komunitete të tjera.
Tashmë mendohet që për të zgjidhur këtë problematikë, regjistrimet në shkolla do të kryhen sipas zonës së banimit të fëmijëve, duke detyruar kështu të gjitha komunitetet që banojnë afër shkollës që fëmijët t’i regjistrojnë në shkollën “Naim Frashëri” dhe jo diku tjetër.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




