Jep dorëheqje kryeministri i Armenisë

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, ka paraqitur dorëheqjen e tij, duke i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, pas një krize politike që u shkaktua si pasojë e luftës me Azerbajxhanin, që u zhvillua vitin e kaluar.
“Sipas marrëveshjes me presidentin dhe forcat politike, sot kam dhënë dorëheqje në mënyrë që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen më 20 qershor”, tha Pashinian përmes një postimi në Facebook.
Pashinian tha se deri në mbajtjen e zgjedhjeve ai do të kryejë detyrat e tij si kryeministër në detyrë dhe shtoi se planifikon që të garojë në zgjedhje.
“Do të jem kandidat për kryeministër”, tha Pashinian, i cili do të garojë me partinë e tij, Kontrata Civile. “Nëse njerëzit vendosin që unë duhet të japë dorëheqje si kryeministër, unë do të respektoj vullnetin e tyre dhe nëse ata duan që unë të vazhdoj punën time si kryeministër, gjithashtu do të respektoj vullnetin e popullit”, shtoi ai.
Ky vendim vjen pas disa ndryshimeve që Armenia ka bërë në Kodin Zgjedhor, ndryshime të cilat, sipas opozitës, janë bërë që të ndihmojnë Pashinianin që të fitojë në zgjedhje.
Armenia është në krizë politike, që prej se Pashinian nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit në nëntorin e kaluar, duke i dhënë fund luftës me Azerbajxhanin për rajonin e Nagorno-Karabakut. Kjo marrëveshje u ndërmjetësua nga Rusia.
Pas bisedimeve me opozitën, në muajin mars, Pashinian ishte pajtuar që zgjedhjet e reja të mbahen në qershor.
Sipas sondazheve, mbështetja për qeverinë e Pashinianit ka rënë në 30 për qind nga 60 sa ishte më parë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




