Kahn: Bajerni bën tripletë, do rikthejmë tifozët në stadium

Oliver Kahn mori rolin e anëtarit të bordit në klubin e Bajernit në datën 1 janar të këtij viti. Ish-kapiteni bavarez është përgjegjës për menaxhimin e jashtëm të klubit ku përfshihen financat dhe merkatoja. “Der Titan” foli për “Kicker” ku tregoi për objektivat e skuadrës në këtë sezon jonormal për shkak të “COVID-19”.
Oli, cilët janë objektivat e skuadrës në merkaton e ardhshme?
Nuk do të jetë një merkato normale për vetë pozicionin që ndodhemi. Ka shumë pasiguri në treg, do të ndjekim gjithçka me vëmendje për të bërë lëvizjet e duhura. Janë shumë gjëra të cilat na duhet t’i marrim parasysh. Jam skeptik për shumë gjëra.
Pas Nojerit, Mylerit dhe Dejvisit, kush ka mbetur pa rinovuar?
Jemi në bisedime me Tiagon dhe Alaban. Jemi të kënaqur me ecurinë e tyre dhe për këtë u kemi ofruar atyre një mundësi tjetër për të vazhduar aventurën në Mynih. Bajerni i ka të gjitha argumentet përse një lojtar duhet të na zgjedhë për të luajtur futboll. Këtu mund të fitosh trofe të rëndësishëm pasi ky është një nga klubet më të mëdha në botë.
Kohët e fundit keni menduar për një rikthim të tifozëve. Si e parashikoni që të ndodhë?
Kemi menduar një koncept ku mund të fusim 10 apo 11 mijë tifozë për ndeshje. Gjithçka do të kontrollohet nga masa të mëdha higjiene. Për momentin më dhemb shumë shpirti kur shoh “Allianz Arena”- n të boshatisur. Por, na duhet t’i pranojmë gjërat kështu siç janë dhe të shpresojmë për një të ardhme sa më të mirë për të gjithë.
Vazhdojnë të jenë Haverc dhe Sane objektivat kryesorë?
Nuk më pëlqen të flas për lojtarë të cilët nuk janë në skuadër. Është një kod etike për lojtarët që luajnë në skuadrat e tjera dhe këtë duhet ta respektojmë.
Çfarë do t’u premtonit tifozëve?
Jemi në rrugën e duhur për të fituar kampionatin. Në Kupë duhet të mundim Frankfurtin ndërsa në Champions vijmë pas një fitoreje 3-0 në Londër ndaj Çelsit. Mendoj që është viti i duhur për të bërë tripletë. Do të ishte fantastike, një dhuratë e bukur për tifozët tanë të cilët na kanë ndjekur këto javë vetëm nga ekrani, në pamundësi për të qenë të pranishëm në stadium apo stërvitje.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




