Kallëzimi në SPAK për pagat e magjistratëve, Malaj: Po mbroj fondet publike dhe po kërkoj zbatimin e ligjit

Financë | 21 minuta më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK nga drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, lidhur me mosdhënien e pagave për magjistratët dhe personelin mbështetës për muajin gusht 2026.

Në një postim në Facebook, Malaj thotë se kallëzimi ndaj tij lidhet me përpjekjen për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur fondet publike. Ministri argumenton se përcaktimi i niveleve të pagave duhet të bëhet përmes ligjit të miratuar nga Kuvendi dhe se Ministria e Financave ka për detyrë zbatimin e tij.

“Kallëzohem sepse po kërkoj të respektoj ligjin dhe se mbroj dyert e financave të shtetit, nga një ndërhyrje e paprecedentë.

Është ky Kuvend që duhet të thotë fjalën e tij, që një projekligj ta bëj ligj, që ligji të përcaktojë nivelet e pagave e që më pas ne të zbatojmë këtë ligj.

Këto para nuk janë paratë e Qeverisë. Nuk janë as të Ministrisë së Financave. Janë paratë e qytetarëve shqiptarë”, shkruan Malaj.

Ndërkohë, drejtuesit e gjykatave, organizatat e gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë kërkuar nga SPAK nisjen e procedimit penal ndaj Malajt, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Gentian Këri, dhe 14 përgjegjësve të Degëve të Thesarit.

Kallëzuesit pretendojnë se mosdhënia e pagave për muajin gusht lidhet me moszbatimin e një vendimi gjyqësor dhe kërkojnë hetim për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Pengimi i ekzekutimit të vendimeve të gjykatës” dhe “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme