Kaloi shkallën e parë të Vettingut/ KP ankimon vendimin: Të shkarkohet prokurorja e Tiranës, Mariola Mërtiri

Aktualitet | 4 vite më parë

Komisioneri Publik së bashku me rekomandimin e ONM-së ka apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për prokuroren e Tiranës, Mariola Mërtiri.

Sipas ankimit të Komisionerit Publik theksohet se vendimi i KPK-së është i cenueshëm pasi në rastin e prokurores Mërtiri evidentohet se ajo nuk ka arritur të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit administrativ, lidhur me kontrollin e kriterit të pasurisë, të figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

“Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 606/2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në konsideratë edhe të Rekomandimit të ONM-së, çmon se ky vendim është i cenueshëm në tërësinë e tij.

Ankimi i Komisionerit Publik, në rastin konkret, evidenton dhe parashtron si çështje për gjykim, rrethana e fakte ligjore, për të cilat vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit administrativ, lidhur me kontrollin e kriterit të pasurisë, të figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale, duke bërë kështu pjesë të shkaqeve të ankimit, për sa parashtrohet edhe në aktin Rekomandim, si dhe në gjetjet e paraqitura nga ONM-ja”, thuhet në njoftimin për shtyp të Komisionerit Publik.

Ky institucion kërkon që të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe të shkarkojë prokuroren e Tiranës, Mirela Mërtiri.

“Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të hetimit të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri”, shkruhet më tej në njoftimin për mediat, të Komisionerit Publik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme