Kaosi në Kuvend nga Rithemelimi, Tabaku: Beteja e opozitës duhet të jetë projektbuxheti

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar, në lidhje me situatën e tensionuar në Kryesinë e Kuvendit, duke vënë theksin se opozita duhet të fokusohet në diskutimet për projektbuxhetin.
Ndonëse nuk i referohet drejtpërdrejtë këtyre zhvillimeve, apeli i saj është se beteja e opozitës është projektbuxheti që lidhet drejtëpërdrejt me qytetarët.
“Parlamenti duhet të diskutojë buxhetin, kur shikon miliona euro në kontrata koncesionare marramendëse të gjitha kryekëput korruptive, në ndërkohë shqiptarët janë të detyruar të largohen në kërkim të një jete më të mirë. Këtë kanë nevojë sot të dëgjojnë qytetarët se çfarë do bëjmë ne ndryshe, më mirë më shumë se si do e ndalojmë këtë largim masiv, se si do krijojmë punë e mundësi për të gjithë e jo pakicën! Kjo është beteja e opozitës.”, shkruan Tabaku.
Prej disa ditësh deputetët e Rithemelimit kanë krijuar skena tensioni në Kuvend, por edhe në Kryesinë e Kuvendit, në përpjekje për të bllokuar funksionimin e institucionit më të lartë ligjvënës në vend. Kaosi i krijuar vjen edhe në kushtet ku në Kryesinë e Kuvendit po diskutohet projektbuxheti i miratuar në qeveri për vitin 2024.
Socialistët në Kuvend, nisur nga situata e krijuar, kanë zhvilluar mbledhje online për projektbuxhetin. Ndërsa zëri i opozitës ende po mungon, lidhur me këtë projektbuxhet, pasi, për momentin, sidomos Rithemelimi, është përqëndruar më shumë në përpjekjet që Kuvendi të mos funksionojë normalisht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




