Kaosi në Parlament/ përjashtohen me 10 ditë nga seancat plenare tre deputetë të Rithemelimit

3 deputetë të Rithemelimit, Saimir Korreshi, Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj janë përjashtuar me 10 ditë nga Kuvendi i Shqipërisë pasi hodhën tymuese dhe krijuan kaos në seancën plenare të ditës së djeshme.
Mazhoranca kërkoi masë disiplinore për disa deputetë të opozitës, përkatësisht Elda Hoti, Saimir Korreshi dhe Lindita Metaliaj.
Një ditë pas tensioneve në seancën parlamentare, ku deputetë të PD nuk lejuan zhvillimin normal të punimeve, grupi parlamentar i PS ka kërkuar marrjen e masave për tre ligjvënës demokratë.
Në kërkesën e dërguar kryetares së Kuvendi, Lindita Nikolla, mazhoranca shkruan se, “Situata e përsëritur në çdo fillim seance plenare nga deputetë të opozitës duke penguar zhvillimin e rregullt të saj është e pa tolerueshme. Kaosi i krijuar nga deputetë të caktuar të opozitës në seancën plenare të datës 09.11.2023, duke larguar nga vendet karriget dhe vendosur ato si barrikadë përpara foltores duke e bllokuar atë është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Ndër të tjera thuhet se, “situata në sallën plenare u përkeqësua akoma më shumë kur deputeti Saimir Korreshi u pa të merrte disa tymuese nga çantat e dy zonjave deputete Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj, duke i ndezur ato dhe duke e bërë të pamundur dhe të vështirë zhvillimin normal të rendit të ditës dhe diskutimet e deputetëve të regjistruar”, thuhet ne shkresën drejtuar Lindita Nikollës.
Pritet mbledhja e Komisionit të Etikës për të vlerësuar propozimin e PS për përjashtimin e tre deputeteve demokrate.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




