“Katastrofa” spitalore në Gazë, Izraeli furnizon spitalin e Al-Shifës me inkubatorë

Botë | 3 vite më parë

Ushtria izraelite tha të martën se ka filluar të transferojë inkubatorë për foshnjat në Rripin e Gazës, për të mundësuar evakuimin e bebeve të porsalindura nga spitali i madh i Al-Shifës në territorin palestinez.

Në deklaratën e njoftuar në mediet sociale, ushtria (IDF) postoi imazhin e një ushtari duke shkarkuar inkubatorët nga një furgon, pas apelit nga Spitali Al-Shifa se lufta mes Izraelit dhe grupit Hamas po vinte në rrezik jetën e të sapolindurve, teksa forcat tokësore izraelite vijojnë operacionin “antiterror” dhe po mbaron karburanti për gjeneratorin.

“IDF-ja mbetet e përkushtuar të mbështesë përgjegjësitë e saj morale dhe profesionale për të bërë dallimin midis civilëve dhe terroristëve të Hamasit. IDF-ja është e gatshme të punojë me çdo palë ndërmjetësuese të besueshme për të garantuar transferimin e inkubatorëve,” njoftoi zëdhënësi ushtarak.

Doktorët e Spitalit të Al-Shifës kanë bërë thirrje për ndihma, pasi “nuk ka më ujë, ushqim, qumësht për fëmijë dhe bebe. Situata në spital është katastrofike,” tha për CNN drejtori i qendrës mjekësore, Dr. Muhamad Abu Salmija (o. Muhamad Abu Salmiya).

Ditët e fundit ka pasur 15 pacientë që kanë humbur jetën në Al-Shifa, mes tyre gjashtë të porsalindur, për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe mungesës së furnizimeve mjekësore.

Përplasjet luftarake më shumë se njëmujore kanë shkaktuar më shumë se 1.200 vdekje në Izrael dhe mbi 11.180 në Gazë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme