Kërkohet shkarkimi i kryebashkiakut të Kuçovës, refuzon KQZ: S’ka arsye ligjore t’i ndërpritet mandati

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur mesditën e sotme për të shqyrtuar kërkesën e shkarkimit të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari pasi mësohet se është dënuar më parë nga gjykata greke e Janinës, ndërsa në formularin e vetëdeklarimit ai ka ka shkruar se nuk rezulton i dënuar.
KQZ hodhi poshtë kërkesën e palës iniciuese duke vlerësuar që Hajdarit të mos t’i ndërpritet mandati i kryebashkiakut.
Përfaqësuesi i palës iniciuese për shkarkimin e Kreshnik Hajdarit nga posti i kryebashkiakut pasi “është përgjegjës për një vepër penale. Të depozitohet kallëzim penal, kemi të bëjmë me një vepër penale të konstatuar.
Ky vendim, është në pikën 24-25 të tij që sqaron interpretimet se nuk duhet favorizuar në asnjë pikë”
“Jemi para një veprimi juridik të pavlefshëm dhe KQZ duhet të konstatojë pavlefshmëri.
Nuk mendoj se KQZ duhet të jetë sipër Gjykatës së Lartë. Të gjitha vendimet e Apelit t’i referohen KQZ-së nëse kjo e fundit është sipër Gjykatës së Lartë.
Përfundimisht kërkojmë shpalljen e pavlefshme dhe përfundimin e mandatit të Hajdarit”, u shpreh përfaqësuesi i palës iniciuese për shkarkimin e Hajdarit.
Kjo kërkesë ka hasur në kundërshtimin e palës së kryebashkiakut Hajdari duke theksuar se “është vendim që flet në favorin tonë dhe në kundërshtim me atë që tha parafolësi. Në janar 2018 u miratua Kodi për Drejtësinë penale për të mitur, dhe ka disa masa të ngjashme me këtë lloj vendimi”
“Gjykata duhet të pushojë çështjen. Janë argumente që nuk quhet i dënuar.
Sa i përket rastit të vendimit të 2017-ës duhet lexuar qartë, nuk kemi dijeni sepse janë raste policore që nuk i jepen individit dhe s’ka si ta deklarojë në formularin përkatës. Nuk mund të penalizohet z. Hajdari sa pretendon pala iniciuese”, u shpreh Theodhori Sollaku, avokat i kryebashkiakut të Kuçovës.
Ndërkaq, pas këtyre diskutimeve ka mbajtur qëndrimin e tij edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Sipas Celibashit, KQZ vlerëson se nuk ka arsye ligjore që Kreshnik Hajdarit t’i ndërpritet mandati i kryebashkiakut të Kuçovës.
“Nëse shkaqet mungojnë nuk ka asnjë detyrim për subjektin në fjalë që të deklarojë çdo gjë tjetër që nuk përbën shkak për ndalimin për të marrë një funksion publik. Jemi para një fakti ku subjekti vetëdeklarues, tani kryetar i bashkisë së Kuçovës, në momentin e paraqitjes së formularit të deklarimit ka qenë kandidat për bashkinë dhe në atë formular ka paraqitur disa të dhëna.
Ai nuk ka paraqitur një të dhënë që lidhet me një proces penal në një kohë të caktuar të zhvilluar ndaj tij në territorin e Greqisë.
Në vlerësimin e tij kjo ka qenë e panevojshme për t’u deklaruar ose e ka e harruar. Kjo e dhënë tashmë e certifikuar nga organi i Prokurorisë së Përgjithshme sipas përcaktimit të ligjit, nuk e përfshin atë në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale për të cilën ka marrë dënimin përkatës.
Mbetet diskutimi që fakti që ai nuk e ka deklaruar, edhe në precedentët e tjerë, ne kemi mbajtur qëndrimin që nuk ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formaluarin e vetëdeklarimit rrethana apo shkaqe që e ndalojnë atë të marrë zyrën publike.
Ndaj vlerësoj se nuk ka një shkak ligjor që kryetari i bashkisë së Kuçovës t’i ndërpritet mandatit. KQZ vlerëson vetëm verifikimin e shkaqeve të një personi të caktuar dhe këto shkaqe në rastin konkret mungojnë” u shpreh Celibashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




