BE hap negociatat për roaming pa tarifa në Ballkanin Perëndimor

Rajon | 4 muaj më parë

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar hapjen e negociatave me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për zgjerimin e zonës “Roam Like at Home” edhe për këta partnerë. 

Ky mekanizëm u lejon konsumatorëve të kryejnë thirrje, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin celular gjatë udhëtimeve jashtë vendit pa tarifa shtesë roaming, në të njëjtat kushte si në vendin e tyre. Aktualisht, zona mbulon BE-në, vendet e Zonës Ekonomike Evropiane (Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia), si dhe Moldavinë e Ukrainën. 

Në një deklaratë për shtyp, Marilena Raouna, Zëvendësministrja për Çështjet Evropiane e Qipros dhe kryesuese e Këshillit, tha se ky vendim është një sinjal i qartë i angazhimit të BE-së ndaj rajonit: 

“Një lidhje më e madhe do të thotë mundësi më të mëdha për qytetarët, bizneset dhe bashkëpunimin ekonomik. Duke punuar drejt një zone të përbashkët roaming të zgjeruar, ne po i bëjmë përfitimet e integrimit evropian të prekshme në jetën e përditshme të njerëzve.” 

Pas këtij vendimi, Komisioni Evropian do të nisë negociatat për marrëveshje sektoriale me secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këto marrëveshje do të mbështeten në Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit, duke krijuar kornizën institucionale për zbatimin dhe qeverisjen e tyre. 

Përpara se të bëhen pjesë e zonës “Roam Like at Home”, vendet e rajonit duhet të përputhen plotësisht me acquis-in e BE-së për roaming dhe ta zbatojnë atë. Komisioni do të vlerësojë përputhshmërinë dhe, pas një rezultati pozitiv, organi i përbashkët i krijuar sipas marrëveshjes do të vendosë për hapjen reciproke të tregjeve të roaming-ut. 

Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor do të mund të përdorin shërbimet e telefonisë celulare në vendet e BE-së pa tarifa shtesë, duke përfituar drejtpërdrejt nga integrimi evropian në jetën e tyre të përditshme. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme