Kim takim me krerët e grupeve të PS e PD, Balla: Përmirësojmë kuadrin ligjor për financimin e partive! Alibeaj: Diskutime mbi sfidat e reja

Pas takimit dje në KQZ me përfaqësuesit e partive politike në vend, Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka zhvilluar këtë të premte një takim në Kryesinë e Kuvendit me Kreun e Grupit të PS-së, Taulant Balla dhe Kreun e Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Në një postim në Facebook, Balla shkruan se Shqipëria do të bashkëpunojë me SHBA në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave elektorale.
Po ashtu, Balla shton se Shqipëria i është mirënjohës SHBA edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve që i kanë dhënë vendit, në mënyrë të veçantë gjatë hartimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi.
“Gjithmonë të frytshme takimet me Ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi të zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, luftës kundër terrorizmit si dhe në qasjen e përbashkët mbrojtëse dhe reaguese ndaj sulmeve kibernetike. Jemi mirënjohës SHBA-ve dhe Ambasadës në Tiranë për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve që i kanë dhënë Shqipërisë në mënyrë të veçantë gjatë hartimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi si dhe në ngritjen e forcimin e kapaciteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë edhe në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Rusia është e përfshirë prej kohësh në sulmet ndaj demokracisë në shumë vende përmes financimit të partive politike dhe aktorëve të tjerë. Kujtoj se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në dhjetor 2019 një Rezolutë “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, duke i’u referuar pikërisht këtyre kërcënimeve dhe duke u kërkuar institucioneve marrjen e të gjitha masave mbrojtëse dhe parandaluese”, shkruan Balla.
Nga ana tjetër, Alibeaj bën me dije se në takim u diskutua mbi sesionin e ri parlamentar dhe sfidat e reja gjatë kësaj periudhe.
“Sot zhvillova një takim të frytshëm pune me Ambasadoren e ShBA në Tiranë Zonjën Yuri Kim. Nisja e sezonit të ri parlamentar dhe sfidat e reja gjatë kësaj periudhe ishin në qendër të bisedës. Disa nga çështjet kryesore ishin përmirësimi i legjislacionit në fuqi, reforma administrative – territoriale dhe ecuria e Grupit Parlamentar të PD-së. E falënderova zonjën Kim për mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në përballjen me sulmin kibernetik të Iranit. E sigurova se PD i është mirënjohëse ShBA-ve që përgjatë gjithë historisë së re dhe të vjetër të vendit tonë, ka patur mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës!”, shkruan Alibeaj.
Ditën e djeshme (15 shtatir), ambasadorja Kim zhvilloi një takim në KQZ me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, Sekretarin e Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri, ish-kryetaren e PL, Monika Kryemadhi dhe deputeten e PD, Jorida Tabaku.
Takim vijnëpasi SHBA publikoi raportin ku pretendohej se Partia Demokratike kishte marrë 500 mijë dollarë nga Rusia në zgjedhjet e vitit 2017. Sipas një zyrtar të lartë të administratës së Joe Biden, Rusia ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë që nga viti 2014 për të ndikuar tek politikanët në më shumë se 24 vende dhe ka financuar me 500,000 dollarë Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017. Lulzim Basha, kreu i PD-së në atë kohë, reagoi duke hedhur poshtë pretendimet dhe duke theksuar se PD nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




