Kina: Pavarësia e Tajvanit nënkupton luftë

Kina paralajmëroi se përpjekjet e Tajvanit për të kërkuar pavarësi, “nënkuptojnë luftë”, shkruan REL.
Paralajmërimi vjen disa ditë pasi Kina i rriti aktivitetet e saj ushtarake dhe fluturoi me avionë luftarakë pranë ishullit.
Ai po ashtu vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, rikonfirmoi angazhimin e tij ndaj Tajvanit.
SHBA-ja tha se paralajmërimi i fundit i Kinës “është për keqardhje”.
Kina e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, por Tajvani e sheh veten si shtet sovran.
“U themi seriozisht atyre forcave të pavarësisë së Tajvanit: ata që luajnë me zjarr, do të digjen vetë, dhe pavarësia e Tajvanit do të thotë luftë”, tha zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Wu Qian.
Wu po ashtu mbrojti aktivitetet e fundit ushtarake të Kinës, duke thënë se ato ishin “veprime të nevojshme për të adresuar situatën aktuale të sigurisë në ngushticën e Tajvanit dhe për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë kombëtare”.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se “nuk sheh arsye se përse tensionet mbi Tajvanin duhet të çojnë në diçka si konfrontimi”.
Administrata e re e SHBA-së pritet të bëjë presion mbi Kinën për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë të drejtat e njeriut, mosmarrëveshjet tregtare, Hong Kongun dhe Tajvanin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




