Kineastit të shquar Dhimitër Anagnostit i jepet Dekorata e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, presidenti Ilir Meta dekoroi sot regjisorin dhe kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti me Dekoratën e lartë, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Në motivacion e dekoratës thuhet: “Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”.
Në fjalën e mbajtur, regjisori Anagnosti tha: “Sot është një ditë e veçantë për mua. Falënderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra dhe bashkë kemi lëvizur në vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit. Vepra e kineastëve jeton në çdo brez. Falënderoj Presidentin e Republikës, z.Meta që më nderon me një titull të lartë“.
Ndërkaq, presidenti Ilir Meta iu drejtua regjisorit, familjarëve dhe kolegëve të tij, si dhe personaliteteve të artit të pranishëm, duke thënë: “Sot kam nderin e veçantë t’ju kem mysafirë në një ditë të shënuar, në 85-vjetorin e lindjes së ‘Artistit të Popullit’, Dhimitër Anagnosti! Emri dhe vepra juaj, i nderuar zoti Anagnosti, si kineast, regjisor, skenarist e shkrimtar, por edhe si krijues mendimtar, dedikuar me gjithë përkushtimin e qënies tuaj popullit dhe Atdheut, është sot për të gjithë ne një frymëzim”, – u shpreh kreu i shtetit
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




