Kisha Katolike Shqiptare, lutje për paqen mes izraelitëve dhe palestinezëve

Kisha Katolike Shqiptare ia ka kushtuar 17 tetorin, situatës aktuale në Tokën e Shenjtë. Ajo iu ka bërë thirrje besimtarëve që të agjërojnë dhe të luten për paqen mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Në ditën e lutjes dhe të agjërimit për paqen, edhe katolikët shqiptarë ftohen nga ipeshkvijtë e tyre të bashkojnë duart në lutje me besimtarët e gjithë botës për t’i kërkuar Zotit të ulen armët e të kthehet qetësia në vendet ku jetoi, vdiq e u ringjall Krishti.
Ndërsa në Shkodër kremtohet pajtorja qiellore e qytetit dhe e gjithë Shqipërisë, Zoja e Shkodrës, e gjithë Kisha Katolike në Shqipëri përgatitet të bashkohet me besimtarët e mbarë botës për ditën e lutjes dhe të agjërimit, gjatë së cilës i kërkohet Zotit të dikojë paqen në Tokën e Shenjtë.
“Kurrë më tepër se tani nuk ndihet nevoja për t’i bashkuar duart e për t’u gjunjëzuar në lutje para Hyjit të Gjithpushtetshëm që t’ia kthejë rrjedhën ngjarjeve të fundit, të cilat s’premtojnë aspak për mirë”, bën thirrje Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë.
KISH i bashkohet në këtë mënyrë nismës së Patriarkatit latin të Tokës së Shenjtë dhe besimtarëve katolikë të të gjithë botës.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




